Ndahet nga jeta legjenda e futbollit botëror dhe atij italian, Paolo Rosi

Një lajm i hidhur për botën e futbollit, si në Itali dhe në të gjithë botën. Në moshën 64-vjeçare Paolo Rosi vdiq, i mundur nga një e keqe e pashmangshme. Heroi i kampionëve të botës më 1982 në Spanjë, ai që mundi Brazilin e Zikos, Argjentinën e Maradonës, Poloninë e Bonjekut dhe në finale Gjermaninë e Rumeniges është larguar nga kjo jetë.
Në verë të vitit 1982, e gjithë Italia doli në rrugë për të festuar, ndërsa presidenti Pertini gjithashtu fluturoi në Madrid për finalen, duke u ngazëllyer në tribuna përkrah mbretit të Spanjës. Paolo Rosi ishte një qendërsulmues, i cili jetoi për golin. Ai shpërtheu në Viçenza, u zhvendos në Peruxhia dhe më pas te Juventusi për vitet e tij më të mira.
Në kombëtare, ai ishte simboli i Italisë së Bearzotit dhe në fund të atij udhëtimi magjik më 1982, fitoi “Topin e Artë”. Realizoi tre gola ndaj Brazilit, dy ndaj Polonisë, një ndaja Gjermanisë në finale dhe kështu Italia fitoi titullin e tretë kampion të botës
Pas Juventusit, ai shkoi te Milani, para se të përfundonte karrierën e tij në Verona. Së bashku me Baxhion dhe Vierin, Paolo Rosi mban rekordin me 9 gola në Kupën e Botës. Ai ishte lojtari i pare dhe më pas Ronaldo, që fitoi Kupën e Botës, titullin e golashënuesit më të mirë dhe “Topin e Artë” në të njëjtin vit.
Me Juve, Rosi fitoi dy tituj të kampionit, një Kupë Kupash, një UEFA Superkupë dhe një Kupë të Kampionëve, ndërsa me Viçenzën një titull kampioni në Serie B, ku ishte edhe shënuesi më i mirë. Pas karrierës së tij si futbollist, Paolo Rosi ka qenë prej kohësh opionist për Mediaset dhe Rai. Ai la gruan e tij, Federika dhe tre fëmijët: Sofia Elena, Maria Vitoria dhe Alesandro.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.