Laçi bën ligjin në Shkodër, rihapet gara për titull
Rihapet gara për titull në Superiore. Laçi i Shpëtim Duros fitoi 1-2 në Shkodër përballë Vllaznisë kryesuese, duke siguruar një trepikësh tepër të rëndësishëm në “Loro Boriçi”. Pjesa e parë dhuroi duele të forta dhe tension, ndërsa golat ishin ruajtur për në fraksionin e dytë.
Kyrian Nëabueze kaloi ekipin kurbinas në avantazh në minutën e 59-të. Gafë e mbrojtjes së Vllaznisë dhe finalizim i goleadorit kryesor të Laçit, i cili gjeti golin e shtatë sezonal në kampionat. Vendasit reaguan dhe rikthyen baraspeshën shtatë minuta më vonë.
Demir Imeri autori i golit për skuadrën e Brdaric, por bardhezinjtë e Duros goditën sërish në minutën e 72-të. Van Dave Harmon, i cili kishte vetëm dy minuta që ishte futur në fushë, ndëshkoi portierin Zogovic. Obanor u ndëshkua me karton të kuq pesë minuta më vonë dhe Laçi me dhjetë lojtarë.
Gjithsesi, miqtë ia dolën të ruanin avantazhin dhe siguruan tre pikë fantastike përballë skuadrës që po dominon futbollin shqiptar këtë sezon. Suksesi i sotëm e ka ngjitur Laçin në vend të dytë me 30 pikë, shtatë më pak se Vllaznia kryesuese.
Sorry, the comment form is closed at this time.