NASA përgatitet për dy misione hapësinore në Afërditë

NASA po kthehet në planetin e Afërditës, fqinji më i afërt i Tokës por ndoshta më i neglizhuar, pas dekadave të eksplorimit të planeteve të tjera. Administratori i ri i agjencisë hapësinore, Bill Nelson, njoftoi dy misione të reja robotike në planetin më të nxehtë të sistemit tonë diellor, gjatë fjalimit të tij të parë më të rëndësishëm për punonjësit të mërkurën.

Një mision i quajtur “DaVinci Plus” do të analizojë atmosferën e trashë dhe me re të Afërditës në një përpjekje për të përcaktuar nëse në planetin e zjarrtë ka ekzistuar ndonjëherë një oqean dhe nëse ai ka qenë i banueshëm.

Një mjet i vogël robotik do të hyjë në atmosferë për të analizuar gazet. Ky do të jetë misioni i parë i Shteteve të Bashkuara në atmosferën e Afërditës që nga viti 1989. Misioni tjetër, i quajtur “Veritas”, do të analizojë historinë gjeologjike, duke krijuar një hartë të sipërfaqes së planetit shkëmbor.

“Këto dy misione synojnë të kuptojnë se si Afërdita u bë një botë e ngjashme me ferrin e zjarrtë, e aftë të shkrijë plumbin në sipërfaqe”, tha Administratori i ri NASA-s, Bill Nelson.

“Shpresojmë që këto misione do të thellojnë njohuritë tona mbi mënyrën se si Toka ka evoluar dhe pse është aktualisht e banueshme ndërkohë që në planetet e tjera në sistemin tonë diellor kjo nuk është e mundur. Shkenca planetare është kritike për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore që kemi si njerëz, pra se a jemi të vetëm? Çfarë mund të mësojmë nga këto dy misione për sistemet e tjera diellore? Kjo është vërtetë interesante dhe është një fushë e re e hulumtimit për NASA-n”, shtoi zoti Nelson.

Këto dy misione fituan në garën me dy projekte të tjera, njëri në hënën e Jupiterit, Io dhe tjetri në hënën e akullt të Neptunit, Triton. Shtetet e Bashkuara dhe ish-Bashkimi Sovjetik dërguan shumë sonda në Afërditë në ditët e para të eksplorimit të hapësirës.

Sonda “Mariner 2” e NASA-s kreu fluturimin e parë të suksesshëm në vitin 1962 dhe “Venera 7” e sovjetikëve bëri uljen e parë të suksesshme në vitin 1970.

Në vitin 1989, NASA përdori një anije hapësinore për të dërguar sondën e saj “Magellan” në orbitën e Afërditës. Agjencia Evropiane e Hapësirës dërgoi një sondë në orbitën e Afërditës në vitin 2006.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.