“Facebook” premton 1 miliard dollarë investime për gazetarinë

Kompania “Facebook” premtoi të mërkurën të investojë të paktën 1 miliard dollarë në mbështetje të gazetarisë gjatë tre viteve të ardhshme ndërsa mbrojti qëndrimin ndaj një mosmarrëveshjeje me Australinë lidhur me pagesat për organizatat e mediave.

Nick Clegg, kreu për marrëdhëniet globale, tha në një deklaratë se kompania është e gatshme të mbështesë mediat e lajmeve, por përsëriti shqetësimet e saj mbi pagesat e detyrueshme.

“Facebook-u është më shumë se i gatshëm të bashkëpunojë me botuesit e lajmeve,” tha zoti Clegg pasi “Facebook” rivendosi informacione lajmesh si pjesë e një kompromisi me zyrtarët australianë.

Platforma e mediave sociale u kritikua pasi hoqi faqet e mediave për përdoruesit australianë dhe i pengoi ata të ndanin përmbajtjen e ndonjë lajmi, në vend që të pranonte zbatimin e ligjit të propozuar.

“Pohimet – e përsëritura gjerësisht ditët e fundit – se ‘Facebook’ vjedh ose merr informacione origjinale lajmesh për përfitimin e tij ishin dhe mbeten gjithmonë të rreme. Ne as nuk marrim dhe as nuk kërkojmë informacione lajmesh për të cilat na u kërkua të paguanim një çmim potencialisht të lartë”,- tha zoti Clegg.

Zoti Clegg tha se për të qënë në përputhje me ligjin siç ai ishte propozuar fillimisht në Australi, “Facebook-u do të ishte detyruar të paguante shuma potencialisht të pakufizuara parash për konglomeratët e mediave shumëkombëshe nën një sistem arbitrazhi që e përshkruan qëllimisht në mënyrë të gabuar marrëdhënien midis botuesve të lajmeve dhe Facebook-ut”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.