Trajneri i Hungarisë tallet me Ronaldon, Mbappe dhe Neuer: Shihemi në plazh

Pas eliminimit të Francës, Gjermanisë dhe Portugalisë nga “Euro 2020”, të gjitha skuadrat e Grupit F, së bashku me Hungarinë, janë kthyer në shtëpi, pa shkuar dot në çerekfinale.

Po flasim për të ashtuquajturin “grupi i vdekjes”. Trajneri i hungarezëve, Marco Rossi, bëri shaka në rrjetet sociale me një fotomontazh, që ka bërë xhiron e botës përmes internetit.

Hungaria e tij, pavarësisht kalibrit të kundërshtarëve, nuk kaloi dot në 1/8 finale, duke paguar një humbje dhe dy barazime.

Në fund, megjithatë, asnjë nga katër skuadrat që i përkisnin të ashtuquajturit “grup i vdekjes” nuk siguruan dot çerekfinalet e Europianit.

Trajneri italian vendosi të tallej me këtë fakt. Ai postoi në profilin e tij në Instagram një fotomontazh, që e portretizon atë në det së bashku me Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappé dhe Manuel Neuer, të gjithë me valixhet në duar.

Fotoja, e cila menjëherë u bë virale në rrjetet sociale, u shoqërua me një mbishkrim ironik: “Shihemi në plazh”.

Nënteksti i trajnerit të Hungarisë ishte i qartë, duke aluduar eliminimet e parakohshme të Portugalisë, Gjermanisë dhe Francës. Fotoja ka marrë shumë pëlqime dhe komente të ndryshme, madje disa tifozë italianë i shkruajnë: “Mister i madh”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.