Tirana triumfon me Skënderbeun, ngjallen shpresat…
Tirana arrin objektivin edhe në këtë javë të 18-të, duke fituar ndaj Skënderbeut, skuadra e fundit në renditje, bashkë me Bylisin. Bardheblutë fitojnë me shifrat 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stëmasi”, një takim që e dominuan në pjesën më të madhe të tij.
Gjithçka në këtë takim filloi me një minutë heshtje, për respekt të mbrojtësit të bardheblu Kristi Vangjeli, i cili pak ditë më parë humbi të vëllain në një moshë fare të re.
Ndërkohë takimi zhbllokohet në minutën e 10-të, realizon sulmuesi Taulant Seferi, i cili me një predhë nga jashtë zonës, ka shtangur portieri Dajsinani, duke e dërguar topin në rrjetë.
Brenda pak minutave, saktësisht në të 18-n, bardheblutë shënojnë edhe golin e dytë, këtë herë me Erion Hoxhallari, që përfiton nga një rrëmujë në zonën e korçarëve.
Me këtë fitore Tirana ngjitet në kuotën e 26 pikëve, duke i marrë vendin e pestë përkohësisht Kukësit, i cili luan ndeshjen e tij të kësaj jave ditën e dielë përballë Kastriotit. Ndërkohë Skënderbeu mbetet në vendin e fundit me 12 pikë.
Sorry, the comment form is closed at this time.