Shqipëria dhe Kosova ndahen në paqe në ndeshjen për Kampionatin Botëror

Kombëtarja e Shqipërisë dhe Përfaqësuesja e Kosovës ndodhen në të njëjtin grup për kualifikimet e Kampionatit Botëror për femra.

Dy ekipet përfaqësuese janë përballur në ndeshjen e parë të grupit, ku në fund rezultati ka qenë i barabartë 1-1.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” ka qenë fantastike, me shumë raste të krijuara e me rivalitet sportiv brenda fushës.

Gjithsesi të parat që shënuan ishin futbollistet e Shqipërisë, që në minutën e 43-të kaluan në epërsi.

Megi Doci realizoi nga penalltia për t’i dhënë epërsinë Shqipërisë 1-0 dhe me këtë rezultat përfunduan 45 minutat e para.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija bëri disa ndryshime në pjesën e dytë, që dolën të suksesshme.

Ishte minuta e 72-të e ndeshjes, kur Erleta Memeti asistoi bukur te Valentina Limani e cila realizoi për ta barazuar rezultatin në 1-1.

Deri në fund të ndeshjes, të dyja ekipet përfaqësuese kishin disa raste shënimi, por gola më nuk pati dhe ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë.

Ndeshjen e radhës Shqipëria e zhvillon pas pesë ditëve në Belgjikë, derisa Kosova pret Norvegjinë që është lidere e grupit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.