Shpëtimtari Flick, Gjermania po i rikthehet shkëlqimit të dikurshëm

Ishte një start perfekt për Hansi Flick, i cili në tri ndeshje mori 9 pikë si trajner i Gjermanisë. Pavarësisht problemeve të djeshme pas ndeshjes gjatë fluturimit, mund të themi se ka qenë një dyjavësh shumë i mirë për futbollin gjerman. Merita më e madhe është padyshim e 56-vjeçarit i cili si me magji zhduki hijen e Lëvit dhe solli rezultatet pozitive për kombëtaren, ashtu si dhe lojën e bukur. Sigurisht që skuadra e Flick nuk është ende perfekte dhe ka nevojë për t’u përmirësuar.

Në tri ndeshje, nëntë pikë dhe një golavarazh 12:0. Tri pikë më shumë se Armenia e vendit të dytë. Piloti Hansi Flick fluturon me skuadrën e tij që tani është në trajektoren e duhur drejt Katarit. Pas një nisjeje të vështirë ndaj Lihtenshtejnit, gjermanët reaguan menjëherë duke fituar bindshëm ndaj Armenisë dhe Islandës.

Euforia në skuadër është e madhe, ashtu si edhe e tifozëve, kritikët e kanë të vështirë për të gjetur pika të vogla, ndoshta nuk duan të bëhen pengesë e një ecurie që kishte munguar prej kohësh në kombëtaren gjermane. “Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe gati për të dhënë gjithçka”, tha Flick në prezantimin e tij të parë me skuadrën.

Sigurisht që asgjë nuk mund të jetë në 100% perfekte. Madje askush nuk kërkon perfeksion. Vetë trajneri u shpreh se skuadra humbet shumë para portës edhe pse në tri ndeshje ajo shënoi plot 12 gola. Flick solli stabilitet në mbrojtje duke mos pësuar asnjë gol në tri ndeshje edhe pse ndaj kundërshtarëve më të dobët.

Gjithsesi, Gjermania ka nisur të luajë, të shënojë dhe të bëjë të ëndërrojë tifozët e saj se ata janë në rrugën e duhur për të nisur një cikël të ri fitues. Gjithçka do t’i lihet kohës, është ajo që do të tregojë nëse ishte një rastësi apo Flick është me të vërtetë magjistari që të gjithë e njohim.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.