Rrëmujat në finalen e Evropianit, UEFA i jep ‘asist’ Shqipërisë?

Vetëm 24 orë pas episodit të fundit të dhunshëm që ndodhi në “Wembley”, pasi përkrahësit hungarezë sulmuan policinë dhe stafin e sigurisë gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës kundër Anglisë mbrëmjen e së martës, “tre luanët” mund të përballen me një dënim të mundshëm nga UEFA, për ndeshjen finale të “Euro 2020”.

Një lajm që duket se sjell ujë në “mullirin” e Shqipërisë, sepse ndeshja e radhës e Anglisë është pikërisht ajo e 12 nëntorit, për kualifikueset e “Katar 2022”, ndaj kuqezinjëve.

Seanca e UEFA-s për këtë çështje është caktuar për këtë të hënë dhe do të jetë një mbledhje që do të caktojë masën e dënimit brenda ditës. Konfirmimi pritet të vijë të martën, në një komunikatë zyrtare, si të Federatës Angleze të Futbollit, ashtu edhe të vetë qeverisë evropiane të futbollit.

Konkretisht, bëhet fjalë për trazirat e shkaktuara – si para dhe pas takimit Angli-Itali – por ajo që mund të dënojë Anglinë është se më shumë se 5.000 tifozë në stadium, pa biletë, madje duke ndezur akoma dhe më shumë trazirat e finales.

Madje, kishte dhe nga ata tifozë që tentuan, por edhe hynë në fushën e lojës duke ndërprerë ndeshjen.

Huliganët, të cilët ofruan ato pamje të shëmtuara kur kaluan kordonët e sigurisë me forcë, përfituan nga kangjellat dhe dyert e shkatërruara, teksa ndeshja ishte duke u luajtur në kohën shtesë. Policia arrestoi 86 persona mes “Wembley”-t dhe zonave të tjera të Londrës.

Federata Angleze i ka bërë me dije UEFA-s se policia ishte maksimalisht e angazhuar. Bashkëngjitur i dërgoi edhe një dosje me masat e marra, para, gjatë dhe pas takimit, me shpresën për të minimizuar dënimin e tyre. Por tani fjala e fundit u takon organeve disiplinore.

Ky vendim pritet me vëmendje edhe në Shqipëri për të mësuar, nëse ndaj Anglisë do të luaj me apo pa tifozë, për të luajtur ato pak shpresa për t’u rikthyer në vendin e dytë, pozicion i humbur pas disfatës në “Air Albania” përballë Polonisë.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.