“Euro 2020″/ Penallti dhe raste të humbura. Spanja shtanget nga Polonia

Një tjetër barazim për Spanjën në grupin E të Kampionatit Evropian të Futbollit.

Spanjollët që vinin pas ndeshjes pa gola me Suedinë u ndalën në një tjetër barazim 1-1 me Poloninë në “La Cartujà”.

Ndryshe nga ndeshja e parë, skuadra e Luis Enriques sulmoi më shumë dhe krijoi raste dhe duhet pranuar që Alvaro Morata po kthehet në problem për rastet e humbura.

Sulmuesi i Juventusit gjeti golin në minutën e 25-të, falë ndërhyrjes nga VAR, pas një krosimi në zonë që dyshohej pozicion i parregullt.

Polakët përgjigjen me Swiderskin me një gjuajtje që përfundon në shtyllë.

Por nëse fati nuk i ndihmoi aty, në pjesën e dytë u buzëqeshi me golin e Lewandowskit në minutën 54. Bomberi gjeti golin e parë në këtë Evropian, teksa pak minuta më vonë, vetëm 4, Spanja fiton një penallti sërish me ndihmën e VAR.

Kësaj radhe, Moreno gjuan dhe gabon, por topi i kthyer për Moratën me portë bosh nuk shkon në rrjetë, pasi sulmuesi e dërgon jashtë atë.

Minutat kalojnë dhe skuadrat përpiqen të mbrohen për të mos humbur edhe pikën që kanë dhe ndeshja në fund mbyllet me barazimin 1-1.

Shumë pak për Spanjën me 2 pikë dhe pak për Poloninë me vetëm 1 pikë.

Ndeshjet e fundit në grup do të jenë vendimtare për ta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.