Nuk munguan emocionet, Vllaznia dhe Kukësi ndahen me 1 pikë

Dy skuadrat që po luftojnë për titull, Vllaznia dhe Kukësi u përballën në ndeshjen e tyre të fundit për vitin 2021 në “Loro Boriçi”, por edhe pse nuk mungoi spektakli, golat dhe emocionet, rezultati final ishte 1-1.

Me shkodranët që luanin me mbështetjen e tifozëve të tyre, gjetën shumë shpejtë avantazhin në 8’ me Liridon Latifin pas një pasimi nga Gurishta.

Kukësi përgjigjet me kundërsulme, por sërish Vllaznia iu afrua golit me kokë me Djurdjeviç. Mes disa tensioneve mbyllet pjesa e parë dhe në të dytën, Kukësi e nis më ndryshe por ende Vllaznia më e rrezikshme teksa në 66’ shtylla shpëton verilindorët nga goli i dytë.

Në momentin më të mirë të vendasve, Kukësi i afrohet golit me Milunoviç dhe 2 minuta më pas barazojnë me anë të Puntus.

Bie heshtja në “Loro Boriçi” teksa skuadra e Brdariç e nis sërish nga fillimi duke sulmuar dhe në 84’ Latifi i afrohet 3 pikëve me një gjuajtje fantastike por pa ja dalur.

Mbyllet 1-1 një sfidë plot emocione dhe që në fund la dy ekipet pretendente për titull në të njëjtin pozicion.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.