Ndeshjet e Evropa League, vëmendja tek Manchester United – Milan

Sot luhen ndeshjet e para të 1/8 të finaleve të Ligës Europa League. Vëmendjen më të madhe padyshim do ta ketë sfida mes Manchester United dhe Milanit, dy skuadra që janë përballur disa herë edhe në Ligën e Kampioneve.

Është kjo një përballje mes dy skuadrave që kanë shumë emër në futbollin evropian por që në vitet e fundit nuk kanë qenë në standardet e tyre, por që po përpiqen që të rikthehen. Një e dhënë interesante për këtë sfidë është se do të vihen përballë skuadrat që kanë fituar më shumë 11 metërsha në këtë sezon; 34 në total, 14 për Manchester United dhe 20 për Milanin.

Tjetër sfidë interesante e kësaj faze është ajo mes Olympiacosit dhe Arsenalit. Topcinjtë e Londrës nuk e kanë harruar eliminimin e pësuar nga skuadra greke sezonin e kaluar në fazën e 1/16 të këtij kompeticioni dhe fati tani i jep mundësinë që të marrë revanshin. Skuadra e Artetës nuk është në moment të mirë në Premier League pasi ndodhet në vendin e 10 dhe larg zonës evropiane, kështu që do të kërkojë t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni.

Skuadër tjetër angleze që do të kërkojë t’i shkojë deri në fund Europa league është Tottenhami që do të luajë ndaj Dinamos së Zagrebit. Për këtë sfidë, skuadra e Mourinhos padyshim që do të besojë te Harry Kane por edhe Bale që është shfaqur në një formë të mirë në ndeshjet e fundit. Kjo do të jetë hera e dytë që Tottenham dhe Dinamo Zagreb do të përballen me njëri-tjetrin, herën e parë londinezët kanë fituar 4-0.

Po sot do të luhet edhe ndeshja mes Romës dhe Shakhtarit, dy skuadra që janë përballur mes tyre edhe 6 herë të tjera. Ukrainasit e kanë bilancin e përballjeve direkte në anën e tyre me 4 fitore kundrejt 2 të Romës.

Ndeshje të tjera që do të luhen sot për 1/8 e finaleve të Europa League janë edhe Ajax-Young Boys, Slavia Pragë-Rangers, Dynamo Kyiv-Villarreal dhe Granada Molde.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.