Mediat: Messi i jep Barcelonës më shumë se sa merr

Kontrata e Messit me Barcelonën, e publikuar vetëm pak ditë më parë, vazhdon të ndezë debate.

Gazetat argjentinase mbrojnë idhullin e tyre, duke thënë se ai jo vetëm nuk ka shkaktuar krizë tek Barcelona, por përkundrazi, ka shtuar të ardhurat e këtij klubi.

Faqja e parë e gazetës “Mundo” ku publikohej kontrata e Lionel Mesit dhe akuzohej lojtari që po kontribuonte në falimentimin e klubit, është komentuar në të gjithë botën.

Reagimet kanë qenë në të gjitha mediat sportive, por më së shumti në Argjentinë i kanë dalë në mbrojtje kapitenit të tyre.

Gazeta “Ole” është përgjigjur në mënyrë brilante duke “kopjuar” faqen e parë të spanjolles “Mundo” dhe kujton shifrat që ka arritur kapiteni katalanas në karrierën e tij.

“650 gola, 260 asiste dhe 755 ndeshje” ishte titulli kryesor. Në shpjegimin e lajmit thuhet se Mesi nuk është arsyeja kryesore e krizës së Barcelonës, por ajo ka ardhur nga keqmenaxhimi i klubit.

“Barcelona nuk ka një skuadër të plotë, ka një grup drejtuesish të përkohshëm, afroi lojtarë si Mina, Paulinjo, Breithueit, Vermaelen, Murijo dhe shumë të tjerë”, shkruhej më tej.

Në “TyC Sports” gjithashtu analizojnë situatën e Barcelonës dhe Leo Mesit: “Mesi është një pjesë e rëndësishme e të ardhurave për Barcelonën. Lionel Mesi i sjell kësaj skuadre afro 250 dhe 300 milionë euro në vit. Rroga e tij bruto është 140 milionë euro dhe minimalisht ai lë në arkat e klubit 100 milionë euro. Edhe ekspertët në Spanjë mendojnë që publikimi i lajmeve ishte i qëllimshëm dhe është interpretuar kundër Mesit. Është e vërtetë që Mesi ka një rrogë të lartë, por ai gjithashtu mbush arkat e klubit çdo vit. E thënë ndryshe, ai e nxjerr vetë rrogën dhe gjithashtu i jep Barçës para të tjera”.

Ka nga ato media që kanë theksuar ecurinë sportive të Lionel Mesit.

“ESPN Argentina” raporton që transferimi i Mesit te Barcelona nisi dashakeqe. Dikush ka dashur t’i bëjë keq Mesit dhe ka publikuar këto lajme. “Që nga momenti kur Lionel Mesi debutoi me Barcelonën, ka arritur të fitojë 73 trofe me klubin apo individualë. Kjo është një epokë e jashtëzakonshme dhe me të në fushën e lojës kanë ardhur 13% e titujve në historinë e Barcelonës. Mesi shkatërron Barcelonën? Kjo është një shaka e hidhur”

Marc Ciria, CEO i kompanisë Diagonal Inversiones dhe ekonomisti Ivan Cabeza kanë bërë një përllogaritje të bilanceve mes pagës së Leos dhe asaj që Barcelona ka fituar financiarisht nga sulmuesi, përveç golave e asistove.

Nëse Leo ka marrë deri më tani 384 milionë euro, ai i ka gjeneruar Barcelonës në këto tre vite plot 620 milionë euro, duke qenë 236 milionë mbi shumën e parave që “Pleshti” i ka marrë klubit. Mjafton të thuash se 8 nga 10 fanella të shitura janë nën emrin e tij.

Gazeta spanjolle El Mundo zbuloi në mënyrë të bujshme detajet e kontratës marramendëse të Messit me fitime prej 555,237,619 euro në katër sezone.

Marrëveshja e tij katër-vjeçare në Camp Nou përfshinte një bonus nënshkrimi prej 115,225,000 eurosh për pranimin e rinovimit fillestar dhe një bonus të madh besnikërie prej 77,929,955 eurosh.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.