Gjyqtari i VAR-it për penalltinë Angli-Danimarkë: Ishte vendim i ashpër

Gjyqtari që ndodhej në dhomën e VAR-it në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Danimarkës në gjysmëfinale të ‘Euro 2020’, Pol van Boekel, ka thënë se penalltia e akorduar për ‘Tre Luanët’ ishte vendim i ashpër, mirëpo për shkak të protokollit të VAR-it ishte i detyruar ta mbështeste gjyqtarin për vendimin e tij përfundimtar.

Danny Makkelie, i cili ishte gjyqtari kryesor i takimit, akordoi penallti për anglezët në minutën e 104, të cilën e konvertoi në gol Harry Kane dhe e dërgoi Anglinë në finale.

Mirëpo, ajo penallti kishte shkaktuar reagime dhe kundërthënie të shumta, ndërsa akoma po diskutohet edhe pse ka përfunduar Kampionati Evropian.

Van Boekel, i cili ndodhej në dhomën e VAR-it dhe në fund e mbështeti vendimin e Makkelie, ka theksuar se nuk ishte e qartë nëse vendim i gjyqtarit ishte i gabuar dhe se ai nuk mund ta anulonte vendimin për penallti.

Sipas tij, i tillë është protokolli i VAR-it, ndërsa nuk ka sqaruar se pse nuk e kishte këshilluar gjyqtarin kryesor që ta shikonte edhe një herë situatën.

“Shpesh e pyes veten se çfarë do të kishte ndodhur po të kisha ndërhyrë. I kuptoj kritikat, por jo në adresë time. Gabimi eventual i Makkelie nuk ishte i qartë, nuk mund të bëja asgjë. Nga një kënd i kamerës e pashë që kishte ardhur deri te kontakti ndërmjet mbrojtësit dhe sulmuesit, por mendoj se ndëshkimi (penalltia) ishte vendim i ashpër”.

“Megjithatë, në një situatë të tillë doemos duhet ta mbështes gjyqtarin, i tillë është protokolli i VAR-it. Ne kemi udhëzime të qarta se si të veprojmë si VAR”, ka thënë Van Boekel në një konferencë për shtyp.

Pol van Boekel u bë gjyqtar i FIFA-s në vitin 2008, ndërsa nga viti 2006 kishte filluar të arbitrojë në kampionatin holandez.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.