FSHF pret ndëshkimin nga FIFA: Vendimi jepet pas 10 ditësh

Ngjarja e shëmtuar e hedhjes së sendeve të forta dhe bidonëve të ujit ndaj lojtarëve polakë në ndeshjen kualifikuese të Botërorit ka dëmtuar jo pak imazhin e Shqipërisë dhe tifozerisë së saj.

Në një intervistë për “Top Channel”, drejtori juridik i FSHF, Aldi Topçiu, njëkohësisht dhe i ngarkuar për t’u marrë me këtë çështje, tregon më tepër për masat që po merren për të minimizuar dëmet.

“Në radhë të parë do të doja të bëja dallimin midis 20.000 tifozëve korrekt dhe disa individëve që kanë një përgjegjësi individuale për ato veprime të kryera. Ata do të dalin përpara përgjegjësisë së tyre. Ky është një proces paralel që është i natyrës administrative ose penale. Në dijeninë time i janë dhënë policisë pamjet filmike menjëherë sapo ka përfunduar ndeshja. Kështu që ato i kanë tashmë dhe ne njëkohësisht mbetemi në dispozicion të tyre”, tha ai.

Po përgjegjësia disiplinore sportive? Çfarë ndodh me hetimin e FIFA-s?

Ne duhet të pranojmë fajet tona dhe përgjegjësinë për atë që ndodhi, sepse ajo që ndodhi nuk na nderon. Përveç kësaj, materiali që kemi përgatitur do të shoqërohet edhe me prova që lidhen me provokimin ose me argumentin se këto veprime erdhën pjesërisht, edhe si pasojë, edhe ndaj reagimit provokues të tifozerisë mike dhe disa lojtarëve apo stafit të ekipit polak.

Çfarë dënimi rrezikon Shqipëria?

Ajo që mund të them është se dëmi është i madh, qoftë nga pikëpamja e imazhit, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Fondet janë ato që janë dhe nuk do të doja që ato fonde mos shkonin për futbollin por të shkojnë për të paguar gjoba në FIFA. Unë do të isha i kënaqur nëse do të kalojmë me gjobë.

A janë dorëzuar raportet e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes? Në çfarë faze jemi?

Jam vënë dje në dijeni të raportit të tyre. Kemi katër ditë kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen tonë dhe brenda 10 ditësh do të njihemi me një vendim eventual të Komisionit të Disiplinës.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.