Conference League/ Roma -Feynoord, në kërkim të trofeut

Stadiumi “Air Albania, në Tiranë do të presë mbrëmjen e sotme në orën 21:00 finalen e UEFA Conference League mes “Romës” dhe “Feyenoord”.

UEFA ka publikuar disa të dhëna dhe statistika për këtë sfidë mjaft të rëndësishme.

Finalja e parë e Conference League do të vërë përballë ekipin italian të “Romës” kundër “Feyenoord”-it të Holandës, dy skuadrat që kanë shënuar më shumë gola në këtë kompeticion dhe gjithashtu dy ekipet që kanë dy golashënuesit më të mirë, Tammy Abraham i “Romës” dhe Cyriel Dessers i “Feyenoord”.

“Feyenoord” e filloi fushatën e tyre në Kosovë më 22 korrik përballë skuadrës së “Dritës” dhe duhej të kalonte nëpër tre raunde kualifikuese. Ata janë të pamposhtur deri tani në këtë kompeticion.

Ndërsa “Roma” e José Mourinhos, e cila filloi në play-off, u mposht nga “Bodø/Glimt” 6-1 në grup, duke u kualifikuar si e dyta.

Stadiumi “Air Albania” i Tiranës ka një kapacitet 21.690 vendesh dhe është përcaktuar për të organizuar këtë finale nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që më 3 dhjetor 2020. Përveç se është finalja e parë e këtij kompeticioni, kjo do të jetë finalja e parë e një kupe të UEFA-s që do të luhet në Shqipëri.

Stadiumi “Air Albania” u hap në nëntor 2019 me një eliminatore për kampionatin Europian mes Shqipërisë dhe Francës. Ai u ndërtua, me ndihmën e programit të asistencës HatTrick të UEFA-s, në vendin e ish-stadiumit “Qemal Stafa” në qendër të kryeqytetit shqiptar.

Sa i përket formatit të finales, UEFA bën të ditur se, nëse rezultati është i barabartë në fund të kohës normale, luhen dy kohë shtesë prej 15 minutash. Nëse njëra nga skuadrat shënon më shumë gola se tjetra gjatë kohës shtesë, ajo skuadër shpallet fituese. Nëse rezultati është ende i barabartë pas kohës shtesë, fituesit përcaktohen me goditje nga pika e penalltisë.

Trofeu i UEFA Europa Conference League është 57.5 cm i gjatë dhe peshon 11 kg. Ai përbëhet nga 32 shtylla gjashtëkëndore – një për çdo ekip në fazën e grupeve të garës – duke u përdredhur dhe lakuar nga baza e trofeut.

Skuadra fituese shpërblehet me 40 medalje ari dhe nënkampionët me 40 medalje argjendi.

Fituesit gjithashtu fitojnë një vend në fazën e grupeve të UEFA Europa League 2022/23, nëse nuk janë kualifikuar për Ligën e Kampionëve të UEFA-s përmes kampionatit të tyre vendas.

Roma dhe Feyenoord përplasen sonte për për kurorën e Conference League. Roma nuk ka fituar ende një trofe të madh evropian – ata ishin nënkampione të Kupës së Evropës në 1984 dhe u mundën në finalen e Kupës UEFA 1991 – por Mourinho ka shumë trofe: dy tituj të Ligës së Kampionëve (me Porton në 2004 dhe Inter në 2010) dhe dy UEFA Cup/UEFA Europa League (Porto 2003, Manchester United 2017). Nëse ai do të fitonte trofeun e UEFA Europa Conference League, ‘Special One’ do të arrijë të fitojë të tri garat kryesore aktuale të UEFA-s për klube.

“Feyenoord” po kërkon të kompletojë të njëjtin gjë si Mourinho. Ata fituan trofeun e Ligës së Kampionëve kur ishte ende Kupa Evropiane në 1970 dhe morën Kupën UEFA, tani UEFA Europa League, si në 1974, ashtu edhe në 2002.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.