“Conference League” mbahet në Tiranë, Reja: Historike për Shqipërinë
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka komentuar vendimin e UEFA-s për të zhvilluar finalen e turneut më të ri “Conference League” në vitin 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Duke folur për “FSHF.org”, tekniku italian i kuqezinjve shprehet mjaft i lumtur me vendimin, ndërsa shpjegon se kjo është një arritje e madhe për Federatën e Futbollit, Presidentin Duka, por edhe Shqipërinë.
“Jam surprizuar për mirë kuptohet nga ky vendim i UEFA-s. Sigurisht me stadiumin e ri të ndërtuar së fundmi edhe faktin që Shqipëria po rritet, ky është motiv i madh kënaqësie veçanërisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sepse një ngjarje e këtij lloji, pra organizmi dhe pritja e finales së një kompeticioni të UEFA-s është diçka historike për Shqipërinë. Kjo do të thotë që vendi tashmë ka besueshmëri edhe në nivel europian. Sigurisht, më duhet të them se meritë të madhe ka edhe Presidenti Duka, i cili me raportet që ka krijuar ndërkombëtarisht, me besueshmërinë që ka fituar në forumet e larta evropiane ka bërë që edhe UEFA të ketë besim te projekti i Shqipërisë. Në fakt, pas ndërtimit të stadiumit Presidenti Duka më pati thënë se synimi i tij ishte që të luhej një finale e madhe në Shqipëri dhe sigurisht që ai ka pasur rol kyç në këtë mes”, thotë Reja.
Më tej, tekniku vlerëson stadiumin e ri të kryeqytetit, që sipas tij do të jetë një reklamë e shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.
Sorry, the comment form is closed at this time.