“Calciopoli”/ Moxhi: Mendova vetëvrasjen. Kisha turp të dilja shëtitje

Luçiano Moxhi është rikthyer që të flasë për “Calciopoli”-n, në dokumentarin e rrjetit “Netflix”, “The dark side of the sport” (Anët e errëta të sportit), gjatë të cilit pranon një fakt drithërues:

“Dhjetë ditët e para pas shpërthimit të skandalit ishin të tmerrshme. Televizionet, radiot dhe gazetat përsërisnin pa pushim fjalën ‘skandal’, por unë premtoj se nuk kam përfituar nga asgjë dhe nga askush. Të më etiketonin si hajdut ishte shumë e vështirë për t’u pranuar, më dhimbte në shpirt.

Çdo ditë që kalonte më dukej sikur po tërhiqesha në një gropë thithëse. Kisha turp që të dilja edhe shëtitje rrugëve. Ndieja sikur mbi shpatulla nuk kisha një tullë, por një shtëpi të tërë. Ndërkohë që e vërteta ishte se ajo skuadër, ai Juventus i ndërtuar në vite ishte kryevepra ime, ndonëse në kokë në ato momente sërish më kalonin shumë gjëra të këqija. Më e keqja e mundshme, vetëvrasja, dhe nuk kam turp ta pranoj.

Por unë jam një njeri i fesë, i Zotit, që më ka mësuar gjithmonë se jeta pranon shumë momente të bukura, por edhe shumë të shëmtuara. E vetmja gjë që duhet bërë është të ecim përpara, duke luftuar gjithmonë kundër së keqes. Dhe në ato momente, nëse nuk do të kisha dëgjuar brenda meje zërin e Zotit që më thoshte: ‘Duhet të luftosh, duhet t’i tregosh botës se gjithçka është thënë, është e gjitha një teatër i shëmtuar’, – nënvizon ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i cili shton gjithashtu. – Nëse ai Juventus imi fitoi 7 kampionate mendoj se e bëri, pasi nuk kishim vjedhur, por sepse ishte e dukshme se lojtarët që ne kishim zbuluar dhe rritur si Zidan, Nedved, Kanavaro etj., ishin ata të duhurit.

Ne nuk i kishim kërkuar asnjëherë askujt që të fitonim ndeshjet, përkundrazi gjithçka e arritëm me forcat tona. Nga ana tjetër është pa dyshim e vërtetë se flisnim me të gjithë, jo vetëm unë, por çdo drejtues. Flisnim me disenjatorët e arbitrave, me krerë federate, por jo për të na tutëluar, por për t’u ankuar në disa raste, duke parë precedentët që kishim pasur me gjyqtarë të ndryshëm. Nëse ‘Calciopoli’ ishte me të vërtetë një skandal, atëherë fjala skandal përfshin gjithçka në 360 gradë, jo vetëm në 20 gradë, jo vetëm duke më dënuar vetëm mua, vetëm Juventusin.

Nuk është e vërteta se në Itali ishte ‘sistemi Moxhi’ që kushtëzonte futbollin, por sistemi i përgjithshëm i asaj periudhe. Edhe drejtuesit e tjerë flisnin me disenjatorët, por në dosje ishin vetëm përgjimet e mia, ndërsa të të tjerëve ishin zhdukur. Si ka mundësi kjo?! Të gjithë ata që punuan në grup vetëm për të mos lënë Juventusin të rritej, të më pengonin mua dhe këdo tjetër që kishte ngjyrat bardhezi në lëkurë, unë nuk do t’i çoj më në gjyq.

Tashmë jam i lodhur, pasi Jezu Krishti, ai që më pengoi mua nga vetëvrasja, do të bëjë gjykatësin për të gjithë ata që punuan kundër meje, kundër nesh”, përfundoi Luçiano Moxhi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.