Ademi-Ministrisë së Shëndetësisë: Lejoni tifozët në finalen e Kupës

Ditën e hënë, më 31 maj, në stadiumin “Air Albania”, luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Një ndeshje që premton mjaft spektakël, por që për fat të keq do luhet pa praninë e tifozëve.

Për këtë arsye, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i ka dërguar një kërkesë autoriteteve publike e në mënyrë të veçantë Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku i kërkon që të lejojë pjesëmarrjen e tifozëve në 30% të kapacitetit të stadiumit “Air Albania”, duke respektuar rigorozisht të gjitha protokollet dhe masat anti- COVID.

“Ditën e hënë, datë 31 maj 2021, në stadiumin ‘Air Albania’ ekipi ynë i zemrës Vllaznia, ndeshet përballë Skenderbeut të Korçës në finalen e Kupës së Shqipërisë në futboll.

Kjo ndeshje vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm ku pasi jemi shpallur nënkampion të Shqipërisë, rikthehemi pas më shumë se një dekade në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj një emri të madh të futbollit shqiptar siç është Skenderbeu.

Përballë një ecurie kaq pozitive, sigurisht, mungesa e tifozëve mbetet një nga keqardhjet më të mëdhaja!

Duke parë se tashmë situata e pandemisë globale COVID-19 është çdo ditë e më tepër duke u përmirësuar, duke parë që në të gjitha vendet europiane tashmë finalet e kupave po zhvillohen me pjesëmarrjen e 30% të tifozëve, Bashkia Shkodër i bën kërkesë autoriteteve publike e në mënyrë të veçantë Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Ditën e finales, me datë 31 maj 2021, duke respektuar rigorozisht të gjitha protokollet dhe masat anti- Covid, të lejojë prezencën e pjesësemarrjen e tifozëve në 30% të kapacitetit të stadimumit ‘Air Albania’!”, shkruan Ademi.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.