Specialistja e ISHP-së: Jemi larg karantinës, lajmi për kufizime drastike është spekulim

2 dhjetori, i cili përkoi me përfundimin e masave fillestare të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në raport me situatën e krijuar nga pandemia, shënjoi një vazhdim të masave të paracaktuara pa afat. E ftuar në emisionin “Top Talk”, specialistja e ISHP-së, Eugena Tomini e cilësoi spekulim mediatik nënshtrimin e vendit në masa më drastike, duke shtuar se situata epidemiologjike në vend po ecën në skenarët e paramenduar. Tomini shtoi se, deri tani, nuk po mendohet një kufizim gjeografik apo rajonal.

“Qëndroj tek kjo e fundit. Shpesh gjendemi pranë lajmeve të dhëna në rrjete sociale. Ka qenë një situatë e vlerësuar në mënyrë intensive. Siç e kishim parashikuar, rreth datës 2 nëntor do të vlerësoheshin masat e marra, si universitetet, ora policore, kufizimi i bareve dhe restoranteve nga orari i përcaktuar deri në orën 6 të mëngjesit. Për rrjedhojë, matja e indikatorëve bazë gjatë kësaj periudhe pati një qëndrueshmëri të pozitivitetit, por duhet të theksoj që incidenca ka qenë e lartë nga java në javë, e rasteve pozitive. Ka qenë një incidencë nga 254 raste për 100 mijë banorë me një incidencë, me një incidencë 347 rastesh për 100 mijë banorë. Por java e fundit ka përcaktuar edhe një nivel ulje të rasteve pozitive ditore dhe kjo është reflektuar me pozitivitetin me luhatje të javës që lamë. Prej këtij shkaku, lindën idetë, mendimet, edhe brenda Komitetit për të reflektuar për masat e marra. Deri në momentet e kalimit fazë pas faze, të atyre skenarëve të parashikuar në planet e veprimit dhe strategjinë vjeshtë-dimër jemi akoma herët me mbylljen gjeografike dhe kombëtare të Shqipërisë, përsa i përket epidemisë”, tha Tomini.

“Frikë jo, kujdes po”. Ky ishte një slogan që na shoqëroi në muajt e para të kësaj pandemie. E pyetur nëse ky slogan vlen akoma edhe aktualisht ku incidenca e rasteve pozitive diore është në rritje, Tomini tha se qytetarët i janë nënshtruar një përgjegjshmërie. Ajo bëri thirrje që masat e vendosura të respektohen me seriozitet dhe përgjegjshmëri maksimale.

“Slogani ka kaluar drejt një përgjegjshmërie, të mos e shtojmë panikun, sepse edhe COVID jep ndryshime psikologjike dhe psikoemocionale tek personat që prek. Ndaj do të thosha të jemi më të përgjegjshëm nëpërmjet masave në dukje të thjeshta, por që duhen respektuar me shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri maksimale”, tha Tomini.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.