“Do bëhesh mirë”/ Manastirliu publikon videon, familjarët komunikojnë me pacientët përmes tabletëve
Aktualisht, në 4 spitalet COVID në Shqipëri po trajtohen 469 pacientë me koronavirus, 31 në terapi intensive, 11 janë të intubuar. Jashtë dyerve të spitaleve ndodhen familjarë të shumtë, në pritje të ndonjë lajmi të mirë nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi pak ditë më parë se, një mënyrë e re komunikimi përmes tabletëve të posaçëm është vendosur në dispozicion të pacientëve, që të mos mungojë komunikimi me familjarët e tyre për t’u dhënë zemër gjatë ditëve të qendrimit në spital.
Ministrja Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetet sociale një video nga momentet kur pacientët flasin me familjarët e tyre në shtëp,i por edhe jashtë ambienteve të spitalit.
“Jemi shumë mirë. Edhe ti do të bëhesh mirë fare, pa merak fare. Si dukesh mirë, shyqyr, shyqyr, mashalla”, dëgjohen në video familjarët, duke motivuar të afërmit e tyre në spital.
Statusi i plotë i ministres Ogerta Manastirliu:
Në situatën e pandemisë në gjithë spitalet COVID, stafet mjekësore veç dedikimit dhe kujdesit profesional për pacientët, janë kujdesur në çdo moment, që të komunikojnë me familjarët për t’i informuar për gjendjen shëndetësore të pacientëve që ndjekin, për çdo pëmirësim apo shqetësim në lidhje me gjendjen shëndetësore të tyre.
Veç terapive të mjekimit dhe ndjekjes së gjendjes klinike për çdo pacient, po kujdesemi dhe për mbështetjen emocionale dhe sociale të pacientëve nëpërmjet vendosjes të komunikimit të tyre direkt me familjarët.
Kemi vendosur dhe mënyrë tjetër komunikimi, përmes tabletave të posaçme për video-telefonata, për t’ju dhënë zemër dhe mbështetje pacientëve të shtruar në spital me #covid19, nga familjarët e tyre, që presin me padurim të komunikojnë me të afërmit dhe t’i përcjellin dashurinë dhe mbështetjen në këto momente.
#KujdesemiMe❤️
Sorry, the comment form is closed at this time.