Zbulohen emrat, kush janë gjashtë kandidatët për kreun e ILDKPI
Kreut aktual të ILDKPI Shkëlqim Ganaj op i afrohet fundi i mandatit të tij dhe Kuvendi ka nisur punën për emrin e ri të inspektorit që kontrollon pasurinë e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Gara tashmë e hapur nga Kuvendi pret shpalosjen e programeve nga kandidaturat, e ndërsa vetë Shkëlqim Ganaj ka zgjedhur që të mos rikandidojë për një mandat të dytë në krye të këtij institucioni tejet të rëndësishëm. Por, në përfundim të mandatit 7- vjeçar, edhe pse vetë nuk do të jetë pjesëmarrës në garë, Ganaj do të ketë mundësinë që të shikojë një përballje të njërit prej vartëseve të tij.
ABC ka mësuar emrat e 6 kandidatëve kur gara tashmë është mbyllur në Kuvend dhe bie në sy, mes aplikantëve, Evgjeni Bashari, e cila aktualisht është Sekretare e Përgjithshme e Inspektoratit. Në garë, janë dhe emra të njohur, si: Eridjan Salianji, ish zv.ministër Drejtësie në qeverinë socialiste dhe përfaqësuesi zyrtar i PSsë në KQZ. Postin e kontrolluesit të pasurisë së zyrtarëve e synon edhe Lefterie Lleshaj, ish-kryetare e KQZ-së, aktualisht drejtoreshë në Kuvend.
Pjesë e garës janë dhe trI zonja të tjera: Evis Fico, Helena Papa dhe Dhimitrula Spiro. Burimet thonë se kupola drejtuese në qeveri mbështet vartësen e Ganajt, Evgjeni Bashari, por meqë votimi do të bëhet në janar, të gjithë kandidatët kanë kohë të lobojnë e ta ndryshojnë kursin drejt këtij posti me rëndësi specifike në hierarkinë shtetërore dhe mbi të gjithë në kontrollin që i bëhet pasurisë së zyrtarëve të lartë. Gjithsesi, ditën e sotme pritet që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, e cila mund të vendosë që të shtojë një seancë të posaçme javën e ardhshme, ku mund të zgjidhet edhe kreu i ri i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Duke iu përmbajtur procedurës për të zgjedhur kreun e ri të ILDKPI-së, Kuvendi zhvillon dy votime.
I pari synon një konsensus me opozitën, ndaj kërkon minimalisht 84 vota pro. Por, nëse socialistët nuk i arrijnë numrat, nuk ka asnjë bllokim, sepse në raundin e dytë të votimit mjaftojnë 71 kartonë jeshilë për të preferuarin e maxhorancës. Por, edhe pse procedura është e tillë, gjasat më të mëdha janë që kreu i ri i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit të zgjidhet që në raundin e parë, pasi kanë qenë të shumta rastet kur maxhoranca i ka kaluar ligjet apo emërimet me më shumë se 100 vota në Parlament, që pasi aty hynë deputetët e opozitës së re.
Të gjithë emrat në garë që e kanë shpallur ambicien për të marrë drejtimin e këtij institucioni tejet të rëndësishëm, janë me një eksperiencë për të mos u nënvlerësuar në administratë dhe mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja që do të bëjë maxhoranca socialiste
Sorry, the comment form is closed at this time.