Xhixho: Rama u vaksinua me “Pfizer”, kurse populli do luajë me fatin

Përmes një postimi të gjatë në “Facebook”, ish-deputetja e LSI, Erisa Xhixho shkruan se sistemi shëndetësor u la plotësisht në harresë nga qeveria gjatë tetë viteve pushtet.

“Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë, me vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Evropë.”- shkruan Xhixho ndërsa komenton edhe procesin e vaksinimit të nisur në vend.

“Së fundi qeveria ka sjellë 38.400 vaksina të kompanisë ‘AstraZeneca’ dhe ka nisur vaksinimin e mësuesve, ndërkohë që Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja iu shtuan Bllokut 17-anëtarësh që bllokuan përdorimin e vaksinës, pas raportimeve për emboli, trombozë e mpiksje gjaku. A ka garanci për këtë? Dhe kur vendet e tjera e stopojnë përdorimin përse qeveria sillet sikur asgjë s’ka ndodhur?

Elitat’ dhe vetë kryeministri morën Pfizer/Moderna, kurse populli do luajë me fatin, me një vaksinë që shumë vende e kanë bllokuar për dëme serioze. Qeveria e paaftë për sigurimin e vaksinave, pa buxhet, pa infrastrukturë, na la të fundit në Evropë për vaksinimin, me 0,55 për 100 banorë kur mesatarja botërore është 4,22, jemi pra rreth 9 herë më poshtë, duke u renditur në nivelet e Afrikës Qendrore.
PS-ja që ka qeverisur e na kërkon edhe mandatin e tretë ka treguar prej vitesh tashmë se nuk është një forcë e majtë, pasi i la njerëzit e pamundur të braktisur e pa mbështetje, shkeli parimet bazë të së majtës, barazinë, solidaritetin dhe mbështetjen e shtresave në nevojë
”, shkruan Xhixho ndër të tjera.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.