Xhixho: Nuk pati vullnet për lista të përbashkëta PD-LSI në zgjedhje

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, duke analizuar zgjedhjet e 25 prillit ka theksuar se një ndër shkaqet kryesore që ka shkaktuar dhe humbjen e zgjedhjeve është shit-blerja e votave, përdorimi i administratës shtetërore dhe përfshirja e grupeve kriminale.

“Më shumë se analizë e LSI-së raporti i OSBE-ODIHR tregon se çfarë ka ndodhur me 25 prill. Nëse qytetarët ishin të lirë në ushtrimin e votës së tyre, apo aty kishte përdorim të administratës publike dhe buxhetit të shtetit, apo fati i patronazhistëve që u përdorën nga partia në pushtet, ku në një vend tjetër kjo do të ishte skandal. Masakra e 25 prillit është një dëm që i bëhet Shqipërisë dhe do të doja që këto zgjedhje të ishin standarde, dhe pse ne pamë përdorimin e legalizimeve, grupet kriminale dhe paratë e pista.

Ne nuk i shmangemi përgjegjësisë, por dua të them se jam krenare që kemi qenë pjesë e një skuadre që nuk ishte pjesë e shitblerjes së votave dhe shkatërrimit të demokracixsë, LSI-ja ka marr shumë vota”, ka thënë Xhixho.

Ndër të tjera ajo ka komentuar dhe zërat se mes dy forcave politike opozitare ka pasur një debat para zgjedhjeve, persa i përket listës së kandidatëve.

“Ne kemi ruajtur identitetet tona dhe të gjithë i kemi shërbyer zhvillimit të një fushate me platforma, por që e vërteta është se fushata u kthye në skemë batutash. Nuk ka pasur debate me PD para zgjedhjeve, por vetëm në sensin konstruktiv. Unë nuk di që të ketë pasur ndonjë vullnet të PD-së për një listë të përbashkët, nuk flas për thashetheme, por institucionalisht nuk ka pas asnjë vullnet për të dalë së bashku”, ka deklaruar nënkryetarja e LSI-së.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.