Majko: Vota për Metën më rëndon shumë, por ai shkeli betimin

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka deklaruar votën pro për shkarkimin e Presidentit Meta, pasi sipas tij, ai shërbeu si promotor i mos-seriozitetit të vendit.

Majko tregoi se ka hezituar të firmosë fillimisht kërkesën për komision hetimor për shkeljet e Metës, por tashmë është i bindur për të votuar pro.

“Pavarësisht problemeve personale apo politike që mund të kemi me njëri-tjetrin kërkesa për të fituar pak më shumë vota se ai tjetri, po në marrëdhëniet me procesin zgjedhor, faktorët strategjikë ndërkombëtarë askush në Shqipëri nuk i ka askujt borxh lidhur me këtë çështje”, tha Majko në fjalën e tij në Kuvend.

Ai tha se vota e tij i rëndon shumë, sepse “Meta ka qenë pjesë e jona”, por votimi i sotëm është një nga filtrat ku duhet të kalojë procedura për shkarkimin e Presidentit.

“Mendoj se këshillat që në përgjithësi jepen në politikë se më mirë të të urrejnë për atë që je se sa të duan për atë që nuk je qëndron në rastin në fjalë që po diskutojmë sot.

Një votë që më rëndon shumë, por në thelb ka raportet me të vërtetën, një e vërtetë që ftoj çdo deputet të ballafaqohet me të. Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesisht.

Historitë që nuk ka legjitimitet ky Parlament për të votuar, unë mendoj se kur është miratuar Kushtetuta e ’99 të gjithë ligjvënësit e kanë pasur të qartë momentin e shkarkimit të Presidentit, një moment që kalon në një mijë filtra.

Kjo që po diskutojmë sot do të gjykohet në Kushtetuese, në thelb ne prodhojmë një akt që do të kalojë në filtrat e juristëve më me përvojë në Kushtetuese.

Raporti jonë me të vërtetën duhet të jetë i qartë dhe qarta është e shkruar e zezë mbi të bardhë”, tha më tej Majko.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.