Vjosa Osmani kërkesë Mimi Kodhelit: Shqipëria të miratojë rezolutë për njohjen e gjenocidit serb

Një delegacion i Komisionit për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i udhëhequr nga kryetarja Mimi Kodheli, është pritur sot në takim nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Time Kadrijaj, fillimisht i ka uruar Kodhelit suksese në detyrën e zëvëndëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Kadrijaj ka thënë se kur Shqipëria është e fortë, edhe Kosova do të jetë e fortë.

Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar mbështetje më të madhe të Shqipërisë për çështjen e Kosovës, përfshirë edhe në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkaq, Mimi Kodheli, ka thënë se vizita e delegacionit nga Shqipëria po realizohet në një kohë jo të mirë për Kosovën, duke iu referuar arrestimeve të ish- drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Ajo ka kërkuar koordinim më të madh përballë sfidave të reja, duke e pranuar faktin se Shqipëria, sikurse edhe Kosova nuk ka bërë aq sa duhet për zbardhjen e gjenocidit serb.

“Bashkë do të bëjmë shumë më shumë se sa deri dje. Kur ne jemi të ndarë, të tjerët janë shumë të fortë”, ka thënë Kodheli, duke shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.

Ndër tjerash, ajo ka premtuar se do të jetë një zë i fuqishëm i Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kanë kërkuar nga delegacioni nga Shqipëria që të angazhohet që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë nëpërmjet së cilës dënohet gjenocidi i shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë.

Në këtë takim, është biseduar edhe për bashkëpunimin në mes të komisioneve dhe për shkëmbimin e përvojave parlamentare.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.