Reagimi/ Topi: Sulmet ndaj Bashës kanë si shenjestër Berishën

Ish-presidenti, Bamir Topi, komentoi zgjedhjet e 25 prillit dhe humbjen e Partisë Demokratike. Ai i cilësoi “hipokrizi” kërkesat për dorëheqjen e kryetarit Lulzim Basha, kërkesa që, sipas tij, shigjetojnë figurën e Sali Berishës.

“Pashë dy kampe, ku njëri kamp që konsiderohet fitues ishte në një shtrat inercie të një fushate të zakonshme, pashë dhe një optimizëm të një lideri në opozitë. Në fakt, ja ku jemi sot, historia është ndryshe. Kemi një konfirmim për herë të tretë të zotit Rama, i cili vjen në pushtet pa asnjë lloj mundimi. Madje, dy fushatat e para kanë si simbolikë timonin dhe tepsinë.

Jo gjithmonë grumbullimet janë indikatorë të fitores. Është tipar i takimeve të PD dhe i së djathtës, që sjell entuziazëm, e bazon tek aparenca e anës psikologjike. Sot, pas gati 30 vitesh, jemi në të njëjtën shfaqje. Gjërat sipas meje duhet të kishin ndryshuar, edhe nga pikëpamja e demonstrimit. Sikurse është lidershipi i ri, forma dhe përmbajtja e fushatës duhet të jetë tjetër gjë. Është e njëjta skenë. Dy gishta lart, hip mbi makinë. 50 njerëz që të krijojnë atmosferën sikur janë 5 mijë njerëz dhe asgjë më shumë.

Vijmë në fushatën e tretë të socialistëve, ku pakënaqësia e shoqërisë është e qartë, e dukshme dhe këtu vjen rezultati paradoksal. Fushatë e dobët e Edi Ramës dhe ai vjen prapë. Fitorja nuk bëhet me fjalë.

Bëhet fjalë për një organizëm të sëmurë. Zoti Basha përfaqëson shenjën e dhimbjes, ndërsa vatra e dhimbjes është diku tjetër. Kam parë te PD, tek njerëzit që kanë dalë pas humbjes, që janë grupuar në dy drejtime, nga njëra anë për të rrëzuar Bashën, dhe e dyta, nxitimi i një pjesë për të mbrojtur apriori Bashën.

Të dy palët, qoftë ata që janë përjashtuar në 2017, qoftë ata që s’janë pjesë e listës tani, kanë mungesë sinqeriteti, hipokrizi, shkojnë e hedhin shigjetat diku tjetër. Vatra është Berisha. Do ishte gabim nga unë nëse do rrëshqisja në planin personal.

Vetë zoti Berisha e di, s’e di kush më mirë se ai. E di sepse është një njeri që e ka ndërtuar vetë atë klimë. E di fare mirë se nuk mjafton që të jesh i gëzuar, që të kesh qeverinë. Në rast se sot do të them se cilat janë institucionet me më rëndësi në Shqipëri? Është kryeministri dhe kryetari i opozitës. Janë gati ekuivalent në fuqinë politike. Ndaj kjo është arsyeja e betejës së madhe për ruajtjen e pozitës së kreut të opozitës”, tha Topi

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.