‘Goditet’ Johnson, dy ministra japin dorëheqjen

Dy ministra kryesorë të Britanisë së Madhe kanë dhënë dorëheqjen një hark të shkurtër kohor, njëri pas tjetrit, duke i dhënë një goditje të rëndë kështu qeverisë së drejtuar nga Boris Johnson.

Sajid Javid, Sekretari i Shtetit për Shëndetin dhe Kujdesin Social, dha dorëheqjen, dhe tha se kishte humbur besimin te Johnson.

Vetëm disa minuta më vonë, Rishi Sunak, kancelari i Thesarit,ose ministër i Financave, ndoqi Javid-in nga Downing Street.

Lajmi vjen pasi një sërë skandalesh, përfshirë festa në zemër të qeverisë gjatë karantinës së vendosur si pasojë e Covid-19, bënë që popullariteti i Johnson të binte ndjeshëm. Ai i mbijetoi një votëbesimi të Partisë Konservatore, muajin e kaluar.

Kancelari Sunak tha: “Publiku me të drejtë pret që qeveria të drejtohet siç duhet, me kompetencë dhe seriozitet. E kuptoj se kjo mund të jetë puna ime e fundit ministrore, por besoj se këto standarde ia vlen të luftohen dhe kjo është arsyeja pse unë po jap dorëheqjen”.

Kurse Javid bëri të ditur në “Twitter”: “Kam folur me Kryeministrin për të dhënë dorëheqjen time si Sekretar i Shtetit për Shëndetësinë dhe Kujdesin Social. Ishte një privilegj i madh të shërbej në këtë rol, por më vjen keq që nuk mund të vazhdoj më me ndërgjegje të pastër”. 

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.