Tabaku: Raporti i FMN-së tregoi situatën e rënduar ekonomike të Shqipërisë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat është shprehur se raporti i FMN tregon situatën tepër të rënduar financiare dhe ekonomike të Shqipërisë.
Sipas saj, në raportin e FMN-së, Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit. ” Kriza që ka prekur xhepat e shqiptarëve dhe më tej gjithë ekonominë e vendit përkthehet në një krizë të madhe që do të shoqërohet me një recesion ekonomik sa 7.5% e PBB-së. Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”, theksohet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.
Tabaku shton se vendi do të përballet që në fillim të 2021 me një borxh publik sa 81.9% e PBB-së pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve. Ky buxhet nuk ofron asnjë mbështetje dhe asnjë burim dhe strategji për rritjen dhe pritet që kontraktimi i madh ekonomik dhe rritja e deficitit fiskal do të rrisin borxhin publik sipas FMN në 81.9% të PBB në fund të 2020, me skenarin për të shkuar në 88% pa PPP në vijim. “FMN në raportin e saj nënvizon nevojën dhe domosdoshmërinë për të qenë transparentë në procesin e rindërtimin. Aq sa ajo thekson se është e domosdoshme që të sigurohet një prokurim i duhur publik, një mbikëqyrje strikte, një monitorim adekuat dhe një raportim i saktë (përfshirë edhe publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit) dhe një audit i pavarur i fondeve që të jetë i jashtëm. Raporti thekson detyrimet e prapambetura që sipas KLSH kanë arritur në pothuajse 600 mln euro dhe janë duke cenuar rëndë financat publike. Këto të fundit po rrezikohen prej tenderimeve jashtë buxhetit, prej rritjes së korrupsionit, prej parashikimeve jashtë realitetit, prej projekteve të paqëndrueshme dhe prej PPP-ve të cilat pritet që në 2021 të arrijnë nivelin 50% të PBB”, thekson Tabaku në deklaratën e saj.
Sorry, the comment form is closed at this time.