Tabaku: Raportet ndërkombëtare flasin për mosndëshkim të korrupsionit
Përmes një deklarate nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, duke iu referuar raportit më të fundit të organizatës së specializuar “Transparency International” thotë, se ky raport ka ngritur alarmin për Shqipërinë.
“Dy janë elementët kryesorë për Shqipërinë: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra sipas dëshirës. Ligjet preferenciale, si ai i Koorporatës së Investimeve, ligji special për teatrin, ligjet që ulin taksa për sektorë si minierat, ndërkohë rrisin taksat për 97% të bizneseve janë qartazi shembuj të kapjes së shtetit.
Ligji i Lojërave të Fatit, që kjo mazhorancë e mbrojti dhe promovoi, ishte një qokë për bizneset e lojërave të fatit pranë qeverisë. Një ligj që nuk ndihmon rregullimin por avantazhon padrejtësisht këto grupe”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, raporti flet për ofertat e pakërkuara që kanë prishur tregun dhe konkurencën dhe çdo kontratë koncesionare në infrastrukturë është dhënë pa garë: “Kontrata e rrugës Milot–Balldren, e denoncuar nga opozita, përmendet specifikisht, sepse kostot janë dyfish të larta, shkon deri në 300 milionë euro duke e bërë koston për km rreth 20 milionë euro. Kompania që ka fituar këtë tender zotërohet nga një ish-deputet e i PS-së”.
Sorry, the comment form is closed at this time.