Strategjitë e opozitës/ Basha “pranon” ftesën e Ramës. Po LSI?

Kampi opozitar duket i përçarë edhe sa i përket strategjisë që duhet ndjekur me nisjen e jetës parlamentare.

Lulzim Basha dha sinjalet e para se do të pranojë bashkëpunim politik me maxhorancën, duke folur për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi duke bërë thirrje për përballje të pashmangshme.

Bashkëpunimi politik ndërmjet PD-së dhe PS-së tashmë ka disa pika konkrete ku mund të bazohet. Kryedemokrati Basha parashtroi disa objektiva për Parlamentin e ri si ndryshim të Kushtetutës, ndryshim të ndarjes territoriale dhe ndryshim të sistemit zgjedhor.

Ky qëndrim i Bashës duket të jetë i pakonsultuar me partitë e tjera opozitare, duke lënë të kuptohet se aleanca PD-LSI mund të ketë përfunduar. 

Në një kohë kur Basha po jepte sinjale për një politikë konstrukture, forca e tretë parlamentare, Lëvizja Socialistepër Integrim bënte thirrje përballje të pashmangshme. Petrit Vasili nënvizoi se Parlamenti i ri duhet të fillojë vetëm nga 25 prilli, pasi çdo gjë tjetër është një fares: “Pa zgjidhur e përballur 25 Prillin dhe masakrën zgjedhore çdo gjë tjetër në Parlament do të jetë vetëm farsë dhe riciklim i kompromiseve, që vijnë erë të qelbur dhe që komisionohen nga oligarkët. Tashmë, shkatërrimi i zgjedhjeve të 25 Prillit është fakt i provuar katërcipërisht”. 

Pikat mbi të cilat PD është e gatshme të diskutojë me maxhorancën shihen më shumë në interes politik se sa publik. Analisti Gjergji Vurmo tha: “I takonte opozitës të fillonte rolin e vet me disa beteja që janë të rëndësishme për qytetarët. Reforma elektorale është më shumë e rëndësishme për partitë politike sesa për qytetarët”.

Interes publik apo politik, këto janë çështje që do të shqyrtohen pas pak ditësh në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. LSI për herë të parë ka humbur peshën politike në Parlament, gjë që reflektohet edhe nga axhendat e ndryshme në kampin opozitar. /A2

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.