Spiropali: Nano nuk u trembet reagimeve të neveritshme

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja Elisa Spiropali i ka dalë në mbrojtje ish-kryeministrit Fatos Nano, pas deklaratave të këtij të fundit në emision javën e kaluar, që ngjallën jo pak reagime.

Spiropali tha se Nano e di mirë kë ka përballë, ndaj dhe nuk u trembet fjalëve të Ilir Metës apo Sali Berishës: “Nano ka lënë gjurmë në histori dhe historia e gjykon”.

“Unë dua të reflektoj mbi atë që ka ndodhur këtë javë në debatin politiko-mediatik. Fatos Nano nuk ka nevojë të mbrohet nga unë, s’ka nevojë të mbrohet në tërësi. Ai ka lënë gjurmën e tij dhe historia gjykon. Ama nuk mund të mos them që ato që tha Fatos Nano, si dëshmi historike dhe me fjalë të zgjedhura, dëshmuan fytyrën e vërtetë të atyre që duan të kthehen në pushtet pas 25 prillit. Por këtë e tregoi më qartë edhe reagimi i tyre i paprecedent nga frëngjitë e tyre mercenare, familjare, shpërtheu një reagim i neveritshëm. Fatos Nano i njeh mirë ata që ka përballë se kanë shkuar në lartësi më të mëdha duke e burgosur, dhe Nano nuk u trembet fjalëve të tyre”, tha Spiropali.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.