S’ke respekt për shqiptarët e MV, Rama i kthehet komentuesit: E tregoj me vepra

Kryeministri Edi Rama është përplasur me një komentues në rrjetet sociale, pasi ky i fundit i kishte kërkuar një reagim për ngjarjen e rëndë në Bullgari, ku vdiqën në aksident 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Një shqiptar i Maqedonisë së Veriut ka akuzuar Ramën se nuk ka respekt për ta dhe se është një ndër më të painteresuarit. Ndërkohë kreu i qeverisë thotë se ka shprehur ngushëllimet e tij që mëngjesin e asaj dite kur ndodhi aksidenti tragjik dhe se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet. Sipas Ramës respektin e ka treguar me vepra e jo me dokrra.

Komentuesi: Kryeministër as një farë respekti për ne shqiptarët e Maqedonisë, kjo është turpi më i madh në gjithë historinë e kombit shqiptar. Arsyen tregoma dhe je një ndër më të pa interesuarit kjo është turpi më i madh, trego arsyen në qoftë se ke.

Rama: Unë i kam shprehur ngushëllimet qysh në mëngjes herët, sapo mora lajmin e keq të tragjedisë, ndërkohë që kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Shkupit për të mësuar se kur e si do të zhvillohet, nëse do të zhvillohet një ceremoni zyrtare lamtumire për viktimat! Kështu që fjalën turp le ta mbajë kush e përdor pa pikë lidhje, ndërsa respektin për shqiptarët e Maqedonisë e kam treguar besoj me vepra jo me dokrra!

Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në kujtim të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.