COVID-19 “shtyn” Konventën Kombëtare të LSI-së

Prej situatës së shkaktuar nga Covid-19, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka vendosur të shtyjë Konventën Kombëtare, që do të mbahej më 5 dhjetor 2020. Shkak për këtë shtyrje, sipas Kryemadhit është bërë përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës prej pandemisë dhe jo vetëm kaq, por edhe mosveprimi i qeverisë ndaj kësaj situate.

“Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020”, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, ky vendim është marrë në shenjë homazhi për të gjithë ata që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19. Por siç thotë ajo, vendimi për shtyrjen e Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ndikon mbi veprimtarinë e përditshme të strukturave të LSI-së, në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin.

“Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën. Në emër të dashurisë për jetën, unë ju ftoj sot që ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t’i gjendemi në krah në këtë kohë të vështirë çdo njeriu në nevojë. Eshtë koha ta mundim të keqen, është koha të fitojmë mbi të keqen dhe ne të gjithë bashkë do t’ia dalim!”, u shpreh Kryemadhi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.