Shkoi në balotazh me Alimehmetin, reagon Këlliçi: Zgjedh të flas me votë, respekt për kandidatët e tjerë

Kandidati i Partisë Demokratike në primaret e Tiranës, Belind Këlliçi ka reaguar pasi ai dhe mjeku Ilir Alimehmeti shkuan në balotazh pas zgjedhjeve të së dielës.

Këlliçi ka falenderuar ata që e votuan, teksa shton se votat që mori e inkurajojnë të mos e ndalojë punën. Në fund ai shpreh respekt për kandidatët e tjerë dhe bën thirrje për të ecur përpara.

Reagimi i plotë:

Po e nis me një falenderim.

Faleminderit juve, që me shiun litar dhe në një ditë pushimi me familjen, dedikuat kohën tuaj për primaret e Tiranës!

Për thuajse një muaj, dyert tuaja ka qenë hapur për ne kandidatët. Për të na dëgjuar çdo fjalë, edhe kur emocionet nuk na kanë lejuar të shprehemi më mirë.

Personalisht jam përpjekur të gjej kohë për të takuar çdokënd, sepse për të fituar duhet të dëgjosh. Kur vjen radha për të folur, unë zgjedh të flas me votë. Ky është karakteri im. Rezultati e tregon më mirë se fjalët e mia.

Gara kërkonte që në 7 kandidatë, një prej tyre të merrte më shumë se gjysmat e totalit të votave. Me mbështetjen tuaj arrita në 48%. Ky është një mesazh inkurajues për të mos e ndalur punën. Do të shkojmë në raundin e dytë, për të bindur çdo demokrat, se ky proces është garancia më e madhe që opozita të ketë kandidatin e saj më të fortë në betejën e Majit.

Do të punoj orë pas ore për çdo votë demokrati, për t’ju përfaqësuar me nder në përballjen e madhe të 14 majit.

Ju falenderoj për të gjithë mbështetjen tuaj të pakursyer! E di se nuk mjaftojnë fjalët, prandaj do të flas sërish me votë, më 11 dhjetor.

Faleminderit që më vlerësuat! Primare të papara! Energji e jashtëzakonshme demokratësh! Respekt për të gjithë, e sidomos për të 6 kandidatët e tjerë në këtë proces! Jemi bashkë. Demokratë e simpatizantë, vazhdojmë sëbashku.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.