Shkarkimi/ Nano firmosi për arrestimin e 2 ish-ministrave

Burime diplomatike kanë bërë të ditur se, prej 10 ditësh ka pasur një debat të madh mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Bëhet fjalë për dy urdhër-arreste, që SPAK ia ka dorëzuar policisë që javën e kaluar për t’i ekzekutuar në kuadër të hetimit të inceneratorëve.

Burimet konfirmuan se është kërkuar prangosja e dy ish-ministrave shumë të rëndësishëm dhe të afërt me Ramën që nga viti 2013 dhe deri përpara pak kohësh.

Nuk u dhanë emra për arsye etike, por rrethi i emrave është shumë i ngushtë.                 

Pas urdhër-arresteve, duke pretenduar “parrezikshmërinë” e dy bashkëpunëtorëve të ngushtë, Rama ka kërkuar shtyrje në kohë të ekzekutimit.

Këtu kanë nisur debatet dhe ndërhyrjet e forta tek Arben Kraja dhe Gledis Nano, pas të cilave Rama ka arritur që të fitojë vetëm disa ditë kohë.

Tri ditë më parë, Kraja i ka dhënë “ultimatum” Nanos të kryejë arrestimet në fjalë dhe ai është treguar i gatshëm, pavarësisht nga presionet.

Por kryeministri i ka bllokuar sërish, duke futur në lojë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe eksponentë të lartë të policisë.

Pas një debati të ashpër në zyrën e ministrit, Nano jo vetëm që nuk ka pranuar të japë dorëheqjen, por ka informuar me detaje për situatën ku ndodhej edhe ambasadën e SHBA-së.

Sot kryeministri e shkarkoi Nanon, duke fituar edhe më shumë kohë për dy bashkëpunëtorët e tij ish-ministra, edhe pse arrestimi apo shpallja e tyre në kërkim është e pashmangshme.

Gjithashtu, pritet që për gjithë këtë situatë, Gledis Nano të dalë në një konferencë për mediat nga ambasada amerikane. Por kjo nuk konfirmohet plotësisht. /Alfapres.al

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.