Shehaj: Ngjitja pas karriges, standard autokratik

Kandidati për kryetar në Partinë Demokratike, Agron Shehaj, theksoi para anëtarëve të kësaj partie në Berat, se qëllimi i tij është të ringrejë PD-në, si dhe të rikthejë shpresën tek demokratët. Ai tha se nëse do të zgjidhej kryetar, vendimi i parë do të ishte ndryshimi i statutit të partisë, ku të shprehej qartë, se kush humbet zgjedhjet duhet të largohet menjëherë.

“Partia Demokratike duhet të zhvishet nga mentaliteti i humbësit dhe nga lehtësia me të cilën e pranon humbjen si të ishte vlerë. Ne nuk mund t’i lëvdojmë vendimet e gabuara e të themi ‘e provuam po nuk na eci’ dhe pastaj të vazhdojmë njësoj.

Nëse zgjidhem kryetar, vendimi i parë që do ndërmarrë PD do të jetë ndryshimi i Statutit për të sanksionuar se kryetari që humb zgjedhjet largohet menjëherë, pa të drejtë rikandidimi, pa asnjë lloj justifikimi. Ky është standardi demokratik dhe evropian. Ngjitja pas karriges me çdo kusht është standard autokratik!

Anëtarët e Partisë Demokratike dhe shqiptarët e thjeshtë janë ata që vuajnë humbjen, që e pësojnë nga pushteti i korruptuar dhe plaçkitës i Edi Ramës. Drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike nuk u ndryshon asgjë në jetën e tyre edhe nëse humbasim. Prandaj, ringritjen e PD-së sot e kërkojnë demokratët e thjeshtë, por po e kundërshton maja e pushtetit të partisë.

Demokratët duan një udhëheqës që i del për zot aspiratës së tyre dhe që as nuk tërhiqet e as nuk ankohet para vështirësive, por lufton deri në fund për të fituar. Dhe që, nëse nuk fiton, merr përgjegjësinë dhe hiqet mënjanë për t’ja lënë vendin dikujt më të zoti. Unë jam i gatshëm ta marrë përsipër këtë detyrim me gjithë përgjegjesinë që ai sjell”, tha Shehaj.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.