“S’di të shkruajë e të lexojë”, ish-deputeti i LSI-së i kthehet Kryemadhit

Pas deklaratave tē dhëna dy ditë më parë në adresë të tij nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka reaguar sot ish-deputeti i LSI, Gledion Rehovica.

Rehovica tha se, ai nuk ka kryer asnjëherë asnjë vepër të jashtëligjshme, as në Shqipëri dhe as në Itali.

“Kam një vendim gjykate të pushimit të çështjes, të kërkuar nga Prokuroria dhe të pranuar nga Gjykata. Nëse ky vendim i gjykatës nuk është i barasvlefshëm me ato vendime të gjykatës që mund t’i vijnë mirë zonjës Kryemadhi s’di ç’të them”, ka thënë ish-deputeti.

Për Rehovicën, i gjithë ai proces ka qenë një thikë pas shpine, e inicuar dhe dirigjuar nga ish-partia e tij, për të mbajtur nën kontroll e nën presion të gjithë deputetët e LSI-së.

Akuzave të zonjës Kryemadhi se ka qenë ajo që i ka larguar nga partia, Rehovica i është përgjigjur, duke deklaruar se është ai që ka ikur vetë nga LSI-ja, për shkak se për të nuk është më ajo parti që ka qenë, nuk është më partia që themeloi Ilir Meta.

Për Rehovicën, LSI ka filluar degradimin që në momentin që filloi arroganca, pabesia dhe mosmirënjohja.

“LSI-në e ka shkatërruar paranoja, por duke qenë se paranoja për mua klasifikohet si sëmundje dhe njerëzit nuk e kontrollojnë dot, nuk kemi pse i vëmë gishtin apo fajin njeriu”, ka shtuar ai.

Në lidhje me akuzat e Kryemadhit se ai nuk dinte të shkruante e të lexonte, Gledion Rehovica i është kundërpërgjigjur me fjalët: “Unë ju siguroj që kam bërë më shumë shkollë dhe kam lexuar më shumë libra se zonja Kryemadhi dhe nuk kam blerë apo kopjuar ndonjë tezë doktorature”.

Rehovica ka deklaruar nga Berati se zonja Kryemadhi partinë e ka të trashëguar dhe të pamerituar. Për Rehovicën, Kryemadhi ka dështuar me sukses gjatë gjithë drejtimit të saj, që nga lënia e mandateve, që nga dorëzimi i bashkive e deri më sot.

Ai e ka ftuar Kryemadhin në një debat të hapur publik dhe ka deklaruar se, arritja më e madhe që ka arritur deri tani Kryemadhi në drejtimin e LSI-së është vetëm “çizmja” kundër Edi Ramës.

Ish-deputeti i LSI-së Gledion Rehovica, ka pohuar se, sipas informacioneve që ai ka, të gjithë zyrtarët e lartë të strukturave të LSI-së janë kontaktuar nga trupe diplomatike, për t’i paralajmëruar që të distancohen nga zonja Kryemadhi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.