Ruçi uron: Vlerësojmë kontributin e spikatur të Finlandës në mbështetje të paqes, sigurisë e stabilitetit
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Parlamentit të Finlandës, Anu Helena Vehviläinen, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe në emrin tim personal Ju dërgoj urimet më të ngrohta me rastin e Festës Kombëtare, 103-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Finlandës. Shpallja e pavarësisë së Finlandës prej Senatit më 4 dhjetor si edhe Deklarata e Pavarësisë që e pasoi, e miratuar nga Parlamenti më 6 dhjetor 1917, ishtë një ngjarje historike për Finlandën dhe hapën rrugën për zhvillimin e modernizimin e Finlandës dhe rritjen e mirqënies së popullit finlandez. Finlanda është është sot një anëtare aktive e Bashkimit Europian, partnere e rëndësishme e NATO-s dhe mike e Shqipërisë. Marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira dhe ato vijnë duke u forcuar. Ne vlerësojmë kontributin e spikatur të Finlandës në mbështetje të paqes, sigurisë e stabilitetit në botën e sotme të trazuar. Shqipëria i është mirënjohëse Finlandës për mbështetjen e vazhdueshme të procesit integrues-anëtarësues në Bashkimin Evropian, duke nisur me mbështetjen për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për vendimin për çeljen e negociatave. Vendimi i Këshilli i Bashkimit Europian i 25 marsit 2020 është rezultat edhe i kontributit të Parlamentit dhe Qeverisë së Finlandës, kontribut që populli shqiptar nuk do ta harrojë. Ne ndjekim me vëmendje përpjekjet e suksesshme të popullit dhe të institucioneve të Finlandës për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19, përpiqemi të përfitojmë nga kjo përvojë dhe urojmë që popujt tanë dhe gjithë njerëzimi të dalin sa më shpejt dhe sa më lehtë prej saj”, shkruan Ruçi.
Sorry, the comment form is closed at this time.