Ruçi takon Avokatin e Popullit të Kosovës: Keni përpara sfida të mëdha

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, i cili ndodhet në Shqipëri për veprimtari të përbashkëta të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në takim merrte pjesë edhe Marija Radulovic, zëvendëse e Avokatit të Popullit të Kosovës, dhe Erinda Ballanca, Avokate e Popullit e Shqipërisë.

Ruçi vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis institucioneve të Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe së fundi edhe me Maqedoninë e Veriut.

“Kosova ka përpara sfida shumë serioze dhe të mëdha për të ardhmen e saj, si konsolidimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, dialogu me Serbinë, rritja e njohjeve ndërkombëtare dhe kontributi për paqen në rajon. Këto sfida mund, duhet dhe do të përballohen vetëm në partneritet dhe duke ndjekur vizionin e partnerëve të mëdhenj strategjik të shqiptarëve: SHBA dhe BE. Avokati i Popullit i Kosovës mund të zbusë në mënyrë horizontale e kapilare problemet e brendshme të shoqërisë kosovare, presionin për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, drejtësisë sociale, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, trajtimin e pakicave, rritjen e kontributit të Kosovës për formimin e paqes, mirëkuptimit e tolerancës në rajon etj.”, theksoi Ruçi.

Nga ana e tij, Qelaj, vuri në dukje se roli i institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë vjen duke u fuqizuar dhe vëmendja e institucioneve shtetërore duke u rritur.

“Rekomandimet e Avokatit të Popullit janë në vëmendje edhe të delegacionit të Bashkimit Europian në Prishtinë dhe zbatimi i tyre vlerësohet edhe si një tregues i rritjes së standardeve të të drejtave të njeriut në rrugëtimin europian të Kosovës”, theksoi Qelaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.