“Rikthehet” Fatos Nano: Koha që Shqipëria të dalë nga “adoleshenca”
Për herë të parë pas 10 vitesh mungesë në ekran, ish-kryeministri Fatos Nano ka folur në emisionin Opinion në Tv “Klan” në një rrëfim ndryshe për jetën dhe karrierën.
Kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunizmit dhe Shqipëria është ende në tranzicion. Pikërisht këtë periudhë, Nano e krahason me periudhën e adoleshencës, dhe thotë se “tashmë është momenti që Shqipëria ta kalojë këtë adoleshencë të kapitalizmit”.
Fevziu: Kur e sheh nga distanca e sotme, si ju duket ky 30-vjeçar?
Nano: Po të flasim nga logjika e një brezi, ju studentët dhe ne pedagogët, besoj se mund ta quajmë se kemi kaluar periudhën e adoleshencës së kapitalizmit. Domethënë, me gjithçka që karakterizon adoleshencën, me vrullet, frenimet, arritjet, me dështimet, ëndrrat e zhgënjimet, me rrëzimet e ringritjet dhe jemi në prag të të sjellurit shpresoj si ‘adult’. Pra, duhet përfundimisht të maturohemi, të stabilizojmë vetveten, shoqërinë, sistemin, institucionet dhe, padyshim edhe ekonominë.
Fevziu: Pra, ju mendoni që ka ardhur momenti të dalim nga adoleshenca 30-vjeçare e kapitalizmit dhe të futemi në një rrjedhë normale apo jo?
Nano: Është ajo që të gjithë presin, që të marrë fund ky tranzicion.
Fevziu: Megjithatë, shumë njerëz kur në jetën e tyre kthehen mbrapa dhe kujtojnë adoleshencën e kujtojnë gjithmonë me një ndjenjë gëzimi. U duket gjithmonë e bukur, pavarësisht se si mund të ketë qenë. A mendon që dhe kjo adoleshencë?
Nano: Po edhe sikur dikush të nxisë harresën, ku të lini ju studentët e ’90-s. Ju jeni ata që keni kujtimet më të bukura, natyrisht dhe ne aq sa kemi kontribuuar, por kam frikë se ju keni dhe zhgënjimet më të mëdha gjithashtu.
Sorry, the comment form is closed at this time.