Balotazhi/ Zaev: Dorëhiqem, nëse humbasim në Shkup

Në Maqedoninë e Veriut, opozita shqiptare dhe maqedonase kanë nisur takimet për strategjinë për raundin e dytë të zgjedhjeve.

Liderët e VMRO-DPMNE-së dhe ASH-së, Hristijan Mickoski dhe Zijadin Sela gjatë një takimi në Kuvend kanë konfirmuar përkrahjen reciproke në rrethin e dytë.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët ka autorizuar kryetarin Zijadin Sela që të vazhdojë bisedimet me partitë tjera dhe deputetët e partive më të vogla, që sipas tyre, kanë treguar gatishmëri për të qenë pjesë e shumicës së re parlamentare, e cila do të zgjedhë më pas qeverinë e re.

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se shumica qeverisëse është stabile. Ai ka marrë mbështetje nga partitë më të vogla – pjesë e koalicionit të qeverisë – mes tyre edhe nga PDSH dhe Lëvizja BESA, pavarësisht se me këtë të fundit, në disa komuna do të përballen partnerët e koalicionit qeverisës BDI dhe BESA.

Zaev ka lënë të kuptohet që, nëse në rrethin e dytë e humbet Shkupin dhe komunat tjera, mund të dorëhiqet nga posti i kryeministrit dhe liderit të LSDM-së.

“Unë dhe qeveria që udhëhiqet nga unë, nuk mund të vazhdojmë nëse qyteti i Shkupit dhe komunat urbane e rurale shkojnë prapa në rrugën e integrimeve, prapa në bazë të ‘Një shoqëri për të gjithë’. Për këtë shkak them se 31 tetori ka të bëjë me gjithçka, tërësisht”, tha ai.

Në garën për qytetin e Shkupit, në raundin e parë të zgjedhjeve me 7.915 vota epërsi fitoi kandidatja e pavarur Danella Arsovska, që mbështetet nga VMRO-DPMNE kundrejt kandidatit të LSDM, Petre Shilegov.

VMRO-DPMNE, në raundin e parë fitoi mbi njëzet komuna, ndaj 9 që mori LSDM.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së ka bërë thirrje për mobilizim dhe unitet partiak, duke thënë se ekzistojnë gjasa reale për përmbysje të rezultatit më 31 tetor.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.