Rama: Shqipëria nuk ka kthim prapa, sado ëndrra të shohë Iliri, Saliu dhe Luli

Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar serish për dhunën në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë, si dhe qëndrimin e Presidentit e të opozitës.

“Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore!
Sipas Ilir Metës, policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndër të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit!

Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t’i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t’u bërë ajo që duan fëmijët e saj!”, shkruan Kryeministri në Twitter.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.