Rama: Po të presin PD-në, qytetarët mbeten rrugëve
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, pa nga afër kantieret e punës në Thumanë.
Rama tha se Partia Demokratike nuk ka asgjë në programin e saj për rindërtimin. Nëse do të jetë për ta, tha ai, qytetarët mbeten rrugëve.
“Gjëja interesante është se ai i dyqanit të djathit me më pak qumësht, nuk ka mësuar fare në ndërtim. Nuk ka asnjë ide për rindërtimin, në rast se do të jetë për ta, qytetarët mbeten rrugëve”, deklaroi Rama.
Ministri Ahmetaj informoi se programi i Rindërtimit në Thumanë parashikon ndërtimin e 14 pallateve, 13 nga buxheti i shtetit dhe 1 nga donatori, Behgjet Pacolli, 278 apartamenteve dhe 155 banesave individuale, një shkollë, si dhe njësia administrative.
Ministri Ahmetaj theksoi se në këtë fazë bashkitë do të nisin hartimin e kontratave me qytetarët.
Kryeministri Rama pa nga afër punimet për përfundimin e shkollës së re që po ndërtohet në Thumanë. Shkolla është e kombinuar me kopsht, ku janë 12 klasa dhe 3 për kopshtin dhe 3 laboratorë.
“Shkolla e cila përfundon në mesin e këtij muaji do tu shërbejë rreth 220 nxënësve”, bëri të ditur kreu i bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Thumana, tha kryeministri Rama, do të jetë një qytet i ri shembullor i zhvillimit urban e social.
“Tani që merr formë, dalin në pah edhe vlerat e projektimit. Kjo kënetë, ku toka ishte e paqëndrueshme, godinat ishin një tmerr, e jeta tejet e komplikuar, bëhet një zonë që ka vlera të mëdha për të ardhmen e të gjithë njësisë Thumanë, sepse krijon një gravitet të ri dhe jep një shembull, si duhet vazhduar zhvillimi më tutje. Me gjithë integrimin dhe liqenin sipër, duhet parë me zgjuarsi si të motivohen disa sipërmarrës që merren me agroturizmin apo disa disa njësi shërbimi që të jetë pikë turistike”, tha Kryeministri.
Në Thumanë do të ngrihet edhe zona e memories për të përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sorry, the comment form is closed at this time.