Rama, apel bashkive: Sanksione, nëse nuk u përgjigjeni ankesave

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Bashkitë se do të ketë sanksione në rast se nuk do t’u përgjigjen në kohë ankesave të qytetarëve.

Nga Berati, ku prezantoi sistemin e ri të shërbimeve digjitale dhe ligjin për Bashkëqeverisjen, Rama u shpreh se Bashkitë kanë një indiferencë të madhe ndaj qytetarëve, por se tashmë kthimi i përgjigjes do të jetë edhe një detyrim ligjor.

“Platforma ka adresuar 52 mijë ankesa, nuk janë pak, por janë shumë më pak se sa duhet të jenë. Institucionet që nuk u përgjigjen qytetarëve nuk janë të denja për shtetin, për shoqërinë. Përgjigjja, pastaj sa zgjidhen sa jo, kjo nuk varet vetëm nga institucioni.
52 mijë ankesa nuk janë shumë po të kemi parasysh që vetëm në Bashkinë e Tiranës kishte mesatarisht 19 mijë letra që vinin çdo vit me lloj lloj ankesash. 52 mijë nuk janë gjithë ankesat që kanë ardhur, kanë ardhur gati dyfish, por në pjesën tjetër ka një pamundësi zgjidhjeje, për shkak se një pjesë janë të lidhura me pushtete gjyqësore dhe këto nuk i zgjidh platforma, nuk është gjykatë. Ne e dimë ç’probleme ka sistemi gjyqësor dhe kemi ndërmarrë reformën në drejtësi. Pjesa tjetër janë kërkesa që lidhen me pushtetin vendor.
Është për t’u habitur që bashkitë kanë një nivel shumë të lartë indiference ndaj qytetarëve. Me futjen e sanksioneve në ligj, nuk është më çështje subjektive, por edhe ligjore dhënia e përgjigjes dhe në rastin e Bashkive, veçse një detyrim i drejtpërdrejtë, sanksionet do bëjnë që të jetë shumë më panë njerëzve edhe fakti që një institucion vendor nuk t’u përgjigj”, tha Rama.

Për t’i dhënë fund korrupsionit, Rama thekson se qytetarët duhet të ndryshojnë mendësinë se gjërat zgjidhen me miq e duke futur shokë, duke u bërë thirrje të ankohen, nëse nuk marrin shërbimin e duhur.

“Qytetarët duhet të thyejnë tabutë në kokë që gjërat zgjidhen në rrugët e vjetra duke gjetur miq e duke futur shokë. Nuk është e nevojshme. Është edhe lufta individuale që secili prej nesh duhet të bëjë me mendësinë sepse shumë shpesh preferojmë më mirë të paguajmë sesa të ankohemi”, shtoi Rama.

Edhe njëherë, Rama theksoi se nga janari 2022 do të mbyllen të gjitha sportelet që shërbimet e tyre i kanë online.

“Punonjësit e sporteleve do jenë të dedikuar për të bërë sistemi të funksionojë nga pas ekranit të telefonit. Sot janë mbi 1 mijë shërbime që jepen online”, theksoi kryeministri.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.