Rama: Memet nuk mund të ndalen. Por nëse akuzohem si hajdut, atëherë…

Kryeministri Edi Rama thotë se memet në internet nuk mund të ndalen. I pyetur për një nismë ligjore të Kodit Penal që po shqyrtohet nga Ministria e Drejtësisë, kryeministri u shpreh se ishte habitur nga lajmi.

Kryeministri u shpreh se, ka një dallim midis opinioneve, për të cilat tha se nuk e ka problem, ndërsa kur akuzohet si hajdut duhet të paraqiten fakte.

“Edhe mua kur ma thanë u habita nga ky lajm. E para, sepse është e pamundur, teorikisht dhe praktikisht t’i ndalosh memet. Por e dyta, sepse, unë jam një njeri që më pëlqen të argëtohem me memet dhe shijues i kahershëm i humorit, dhe humorit vizual po themi.

Kam patur shumë dëshirë dhe e kam ende dëshirën që Bujar Kapexhiu të ekspozojë të gjitha karikaturat për mua në sallën e ekspozitave në Kryeministri. Ai e di. Mbase e ka marrë si shaka, nuk e di. Por për të ardhur te pyetja juaja, e para nuk bëhet fjalë për një projekt. Bëhet fjalë për një material të shkruar nga një grup pune, i cili po punon për Kodin e ri Penal. Dhe e dyta, edhe ai material që nuk është akoma një projekt i Ministrisë së Drejtësisë e aq më tepër i qeverisë. Është nen i marrë që e kanë shumë Kode Penale të Europës. E ka Franca… Dhe sigurisht që nuk lidhet me meme.

Sa i përket armikut të shtypit, unë kam një problem që nuk e zgjidh dot. Unë kam qenë aty ku jeni ju. Dhe duke qenë se kam milituar dhe duke qenë se kam një mendim të caktuar për cilësinë dhe vlerën e jashtëzakonshme që ka të shkruarit, ka një problem të madh me moskorrektesën dhe keqtrajtimin e fakteve.

Nuk kam problem që dikush shprehet negativisht ndaj meje. Në rast se më thonë gomar, është opinion dhe nuk e kam problem. Në rast se më thonë hajdut, ky nuk është opinion, kjo kërkon fakte”, tha kryeministri Rama në Rtv “Ora”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.