Protesta e pedagogëve për rritjen e pagave, Kushi: Nesër takim me Sindikatën 

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, bëri të ditur se do të zhvillojë nesër një takim me përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve të universiteteve për të diskutuar mbi pakënaqësitë e tyre.

Duke folur në seancën e Parlamentit, ajo tha se do të merren disa vendime për disa faktorë kryesorë që janë më shqetësues për ta.

“Nesër kemi një takim me përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve të universiteteve, atyre që kanë firmosur peticionin. Vetëm për dialogun me universitetet vetëm ju nuk mund të na akuzoni. Çdo muaj takohemi me rektorët dhe është edhe vetë kryeministri ku diskutojmë e marrim vendime bashkarisht. Nuk ka pasur asnjë periudhë ku të ketë një dialog kaq intensiv. Se çfarë vendimesh do të marrim nuk mund t’jua them që tani por sigurisht do të kemi një vendimmarrje për faktorët kryesorë. Të gjithë studentët ekselentë, që marrin pjesë në olimpiada etj, do të fitojnë bursa sa paga minimale”, tha Kushi.

Sipas saj “Për të gjithë ata student që kanë mesataren mbi nëntë e që vijnë nga shtresa të caktuara. Javën e kaluar nuk isha sepse mora pjesë në samitin Global të arsimit në Neë York dhe ka një nevojë urgjente për transformim të sistemit arsimor kudo në botë dhe ramë dakord që arsimi duhet të jetë sektori ku të gjitha palët duhet të solidarizohen, arsimi duhet të na bashkojë e jo të na ndajë. Jemi shumë të hapur por jo me akuza e me baltë. Kemi edhe ligjin e arsimit parauniversitar në konsultim publik”.

Pedagogët kanë zhvilluar një protestë të enjten e kaluar, pasi nuk ka pasur asnjë reagim ndaj peticionit në lidhje me kërkesat e tyre.
Mësohet se në peticion kërkohet të arrihet niveli i pagave të Universiteteve publike të Kosovës, brenda dy viteve me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20 % në Tetor 2023.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.