Presidenti i ri dhe PD e re ose ‘ethet’ e së premtes

E premtja që po vjen duket se do të vendosë shumë.

Së pari, emrin e kreut të ri të shtetit. Kreu i PS-së, Edi Rama ndodhet në SHBA dhe pritet që të kthehet të premten paradite.

Të premten në orën 17:00, PS ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë për të vendosur emrin e pasuesit të Ilir Metës.

Në tryezën e Ramës janë disa emra. Dëshira është për një zonjë. Por fjalën e fundit do ta thotë të premten se cilin emër do të çojë të shtunën pasdite në orën 18:00 për votim në Kuvend.

Por zhvillime ka edhe në krahun tjetër.

Sali Berisha, tashmë i zgjedhur në krye të PD-së, do të plotësojë kupolën drejtuese me sekretarin e Përgjithshëm dhe dy nënkryetarët.

Dy emrat që pritet që të garojnë për sekretar të Përgjithshëm për të fituar besimin e Këshillit Kombëtar janë Flamur Noka dhe Belind Këlliçi.

Luçiano Boçi pritet të sfidojë Oerd Bylykbashin për postin e nënkryetarit, ndërsa ende nuk dihet se cilat do të jenë dy gratë që do të kërkojnë të kenë një pozicion të rëndësishëm (ndoshta nënkryetari i dytë) në kupolën drejtues të bluve të udhëhequr nga Berisha.

Çfarëdo që të ndodhë të premten, një gjë është e sigurt: qejfmbetje ka për të pasur, sidomos në kampin opozitar.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.