Politikanët urojnë 8 dhjetorin/ Braçe: Do t’i uroj Berishës ditën e themelimit të Partisë Demokratike
Politikanë të ndryshëm kanë shprehur urimet e tyre për Ditën Kombëtare të Rinisë.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha se nga kjo ditë vlen mësimi: T’i themi gjërat siç janë në të vërtetë.
“Mos u habisni. Dua t’i uroj Sali Berishës ditën e themelimit të Partisë Demokratike nga shoku Ramis Alia e shoku Sali Berisha. Nder e respekt përjetë atyre djemve e vajzave që e refuzuan atë farsë. Prej farsës, Sali Berisha u kthye nga “një mik i Partisë Demokratike”, në sundimtar i saj, pushtues e varrmihës njëherësh i demokracisë aty, demokracisë në Shqipëri, i pari dhe i fundit në këto 30 vite që ka pushkatuar kundërshtarë në bulevardin e Dëshmorëve të Kombit. Nga kjo ditë, vlen mësimi; T’i themi gjërat siç janë në të vërtetë”shprehet Braçe.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se 8 dhjetori 1990, protesta e studentëve është hapi i parë drejt lirisë dhe pluralizmit politik demokratik.
“Mirënjohje ndaj çdo kontribuesi në lëvizjen studentore shqiptare, që çoi në shembjen e mureve të diktaturës më të egër në Europë. Keqardhje për degradimin e sotëm të asaj çfarë ka mbetur nga Partia Demokratike, që siç thonë themeluesit e saj, “ka reshtur së qeni forca e lirisë e demokracisë, shpresës dhe alternativës”, tha ai
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Elisa Spiropali tha se 8 Dhjetori është dita e Rinisë, dita e Lirisë, dita e guximit dhe sakrificës së disave për të mirën e të gjithëve.
“Do ta kujtojmë e festojmë gjithmonë si ditë frymëzimi, ditë guximi, për të na e shtuar hovin ta bëjmë Shqipërinë si e meriton, vend të punës, begatisë, shpresës, si e deshën idealistët që e ëndërruan, rilindasit që e pavarësuan, martirët që u sakrifikuan”.
8 Dhjetori shënohet si Dita Kombëtare e Rinisë, prej vitit 2009 dhe kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990.
Sorry, the comment form is closed at this time.