“Po paguhen fëmijë nga shtresa të varfra”, Gjonaj akuzon PD dhe LSI për nxitjen e dhunës në protesta

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, akuzoi partitë e opozitës dhe liderët e tyre për organizmin dhe nxitjen e protestave. Ajo tha, në rubrikën “Opinion” në “News24” se, nxitja e fëmijëve është vepër penale. Gjonaj u bëri prindërve thirrje të mos lejojnë fëmijët e tyre në veprime kriminale, “pasi do u shkatërrohet e ardhmja”.

“Të vjen keq kur këto protesta nxiten dhe kanë pjesëmarrjen e funksionarëve politikë. Keqardhëse është kur këto forca politike, si PD dhe LSI, nxisin fëmijët, i përdorin për të marrë pjesë në protesta të dhunshme, për të marrë pjesë në krim. Shkatërrimi i pronës, element që përbën vepër penale. Me Kodin Penal dënohen të gjithë ata që nxisin fëmijët për të kryer një krim. Të gjithë këta nxitës duhet të dalin përpara përgjegjësisë penale.

Pavarësisht deklaratës së znj. Ademi, u pa me figurë që ishte pjesë e protestës, por kur nxiten të jenë të dhunshme, të terrorizojnë njerëzit është absolutisht e dënueshme. Duhet të ndiejmë keqardhjen dhe për ata punonjës policie që janë plagosur gjatë këtyre ditëve. Përdorimi i të miturve është një fatkeqësi shumë e madhe. Bashkëmoshatarët e këtyre të miturve që dalin në ekrane është keqardhëse kur shohin nga ekrani këta të mitur që djegin apo shkatërrojnë dhe ato që janë simbole të fundvitit”, deklaroi Gjonaj.

Ministrja e cilësoi sërish vrasjen e 25-vjeçarit Rasha një rast sporadik, duke kërkuar t’i lihet në dorë drejtësisë.

Sa i përket lëndimit dhe plagosjes në protestë të protestuesve, Gjonaj tha se institucionet shtetërore duhet të ruajnë sigurinë dhe të mos lënë kaosin të terrorizojë pjesën tjetër të qytetarëve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.